Ish-zv.komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama dhe debatit të krijuar në ditët e fundit rreth rolit të Dritan Goxhajt në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meçollari ka publikuar një dokument zyrtar, i cili sipas tij dëshmon statusin dhe kontributin e Goxhajt në radhët e UÇK-së.
Bëhet fjalë për një vendim të Komisionit për Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo të Internuarit të UÇK-së, i firmosur nga ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku.
Sipas dokumentit të publikuar, me vendimin nr. 18/9642, datë 20 maj 2016, Dritan L. Goxhaj është shpallur zyrtarisht “Veteran Luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
