Vjosa Osmani me ne fund flet se pse u ‘prish’ me Albin Kurtin

Këto zgjedhje nuk janë pasojë e refuzimit të përkrahjes ndaj meje si presidente, por pasojë e një krize shumë më të thellë shtetërore. Në emisionin *Debat Plus*, përballë Ermal Pandurit, Vjosa Osmani theksoi se problemi nuk lidhet me një individ apo me një raport personal politik, por me mënyrën se si po funksionojnë institucionet e shtetit.

 

Sipas saj, një nga arsyet kryesore të prishjes së bashkëpunimit ka qenë qasja e pushtetit, i cili ka menduar se gjithçka është pronë e një partie politike. Ajo vlerësoi se ekziston një tendencë për kontroll të institucioneve, e cila duhet të ndalet dhe të eliminohet për të ruajtur pavarësinë dhe funksionimin demokratik të shtetit.

Osmani kritikoi edhe perceptimin e pushtetit ndaj Presidencës, duke thënë se ajo është trajtuar sikur të ishte një OJQ dhe jo një institucion kushtetues me rol të rëndësishëm shtetëror. Ajo shtoi se, po të ishte nënshtruar ndaj kërkesave politike, emri i saj nuk do të ishte konsideruar problem, duke lënë të kuptohet se qëndrimet e saj të pavarura kanë ndikuar në përplasjet politike.