Me afrimin e zgjedhjeve në Kosovë, diaspora po shfaqet sërish si një faktor me ndikim të mundshëm në rezultatet politike.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri më 10 maj 2026 janë pranuar 36,154 kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, prej të cilave 25,376 janë aprovuar, 2,961 janë refuzuar dhe 7,797 janë ende në shqyrtim.
Këto shifra tregojnë një interes të dukshëm të mërgatës për pjesëmarrje.
E në lidhje me atë se si pritet të ndikojë vota e diasporës në zgjedhjet e 7 qershorit, për “Bota sot” foli anëtari i “Guxo”, Gazmend Halilaj.
Fillimisht, tha se me të drejtë në prag të këtyre zgjedhjeve, vëmendja po përqëndrohet te diaspora, kjo pasi që, proceset e fundit zgjedhore në vend treguan sa e rëndësishme është vota e mërgatës për balancat politike.
Anëtari i “Guxo”, Gazmend Halilaj
“Me afrimin e zgjedhjeve të reja në Kosovë, vëmendja po përqendrohet gjithnjë e më shumë te diaspora, e cila në vitet e fundit është shndërruar në një faktor me ndikim të drejtpërdrejtë në skenën politike të vendit. Proceset e fundit zgjedhore treguan qartë se mërgata nuk është më vetëm një mbështetëse financiare dhe emocionale e Kosovës, por edhe një forcë e rëndësishme elektorale që mund të ndikojë në balancat politike dhe në rezultatin final të zgjedhjeve”.
Krahas kësaj, Halilaj vlerëson se, edhe në këto zgjedhje vota e diasporës do jetë masive, madje në këtë pikë, paralajmëroi se mund të ketë rekord të pjesëmarrjes së tyre.
“Interesimi i diasporës për të marrë pjesë në votime pritet të jetë i lartë edhe në këto zgjedhje, madje në shumë vlerësime konsiderohet se pjesëmarrja mund të tejkalojë proceset e kaluara. Kjo lidhet me rritjen e vetëdijes politike te bashkatdhetarët, organizimin më të madh të votuesve jashtë vendit dhe ndikimin që zhvillimet politike në Kosovë kanë te mërgata. Për shumë qytetarë që jetojnë jashtë vendit, vota shihet si mënyrë për të ruajtur lidhjen me shtetin dhe për të ndikuar në drejtimin politik të tij”, theksoi ai.
Më tej, anëtari i Guxo u shpreh se, vota e diasporës do jetë vendimtare, sidmos në rezultatet e ngushta mes partive politike.
“Në zgjedhje ku diferencat mes subjekteve politike mund të jenë të ngushta, vota e diasporës mund të jetë vendimtare. Pikërisht për këtë arsye partitë politike po i kushtojnë rëndësi të veçantë mobilizimit të mërgatës dhe komunikimit me të. Në proceset e fundit është parë se Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të ruajë një mbështetje të konsiderueshme në diasporë, kryesisht për shkak të perceptimit si forcë politike që përfaqëson ndryshimin, luftën kundër korrupsionit dhe një qasje më qytetare në qeverisje”.
Në fund, Halilaj përmendi foli edhe për mbështetjen që diaspora ia bën LVV-së, duke thënë se, votat e tyre mund të ndikojë dukshëm në rezultatin zgjedhor.
“Mbështetja e diasporës për LVV-në shpesh është interpretuar edhe si reflektim i pritjeve të mërgatës për një shtet më funksional dhe institucione më të forta. Për këtë arsye, një dalje e madhe e votuesve nga diaspora mund të ndikojë dukshëm në rezultatin zgjedhor, sidomos nëse gara politike mbetet e ngushtë deri në fund. Në fund, mërgata po dëshmon se mbetet jo vetëm pjesë emocionale e Kosovës, por edhe një faktor real politik në përcaktimin e të ardhmes së vendit”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.