Në Lidhja Demokratike e Kosovës duket se nuk ka qetësi në prag të përgatitjeve për zgjedhje.
Burime të afërta me zhvillimet brenda partisë i kanë thënë Gazetës Minuti se në strukturat qendrore të LDK-së kanë nisur debate dhe përplasje të ashpra lidhur me renditjen e kandidatëve në listën zgjedhore.
Sipas këtyre burimeve, pakënaqësitë janë rritur ndjeshëm pasi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, po akuzohet nga zëra brenda partisë se po favorizon figura që, siç thuhet, “i kanë mbajtur zhagun” dhe kanë qenë më afër tij politikisht në periudhën e fundit.
Në anën tjetër, figura me peshë dhe me përvojë të gjatë brenda LDK-së si Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Rrezarta Krasniqi dhe Janina Ymeri, sipas burimeve, nuk janë të kënaqura me pozicionimin që pritet t’u bëhet në listë, pasi thuhet se po tentohet të vendosen larg 10-shes së parë.
Kjo situatë, gjithmonë sipas burimeve të Gazetës Minuti, ka krijuar tensione të mëdha në parti, madje me debate të forta në takime të brendshme, ku disa figura kanë shprehur hapur pakënaqësinë ndaj mënyrës së menaxhimit të procesit nga kreu i partisë.
Mbetet të shihet nëse këto zhvillime do të ndikojnë në unitetin e LDK-së dhe në mobilizimin e saj për zgjedhjet e ardhshme.