Osmani lë të kuptohet se Kurti ka kërkuar qira për Bondsteel-in

Kandidatja për presidente e LDK-së, Vjosa Osmani, ka sulmuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai ka përmendur që kampit amerikan të vendosur në Ferizaj, Bondsteel, t’i kërkohet qira.

 

Në “Tubimin e Bashkimit” të LDK-së, Osmani foli ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend, duke thënë se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është bërë më i fortë se kurrë dhe se rruga drejt NATO-s nuk është më vetëm slogan politik, por proces real i mbështetur nga aleatët strategjikë të Kosovës.

Ajo tha se është e pakuptimtë që pikërisht këto zhvillime, sipas saj pozitive për shtetin, po shihen si arsye për tensione politike, bllokadë institucionale dhe zgjedhje të panevojshme.

 

“Të konsiderojnë si pengesë kur partneriteti me SHBA-të u bë më i fortë se kurrë. Kur BE-ja nisi të hiqte masat kundër Kosovës, kur rruga drejt NATO-s nuk ishte më slogan, por proces real i mbështetur nga aleati ynë strategjik”, deklaroi Osmani, duke e lidhur me mos mbështetjen e Kurtit ndaj rikandidimit të saj për një mandat tjetër si presidente e Kosovës.

Ajo shtoi se nuk mund ta imagjinonte që dikush do ta konsideronte problem orientimin euroatlantik të Kosovës dhe bashkëpunimin e afërt me SHBA-të, duke përmendur edhe qira ndaj Bondsteel-it.

“Kush do ta kishte imagjinuar se të gjitha këto bëhen pengesë dhe frikë e arsye për bllokadë të shtetit tonë dhe zgjedhje të panevojshme. Kush do ta kishte imagjinuar që konsiderohesh pengesë sepse e do Kosovën si shtet ku ushtari i Kosovës mbron paqen krah për krah me ushtarin amerikan, e jo si një shtet ku politikanë të caktuar thonë se Bondsteel-it duhet t’i qesim e t’i kërkojmë qira”, u shpreh Osmani.