Analistët politikë vlerësojnë se kryeministri Albin Kurti ka arritur të marrë epërsinë në procesin e diskutimeve për zgjedhjen e presidentit, pas prezantimit të propozimeve të reja nga ana e tij.
Sipas këtyre vlerësimeve, një nga elementet kyçe që ka ndikuar në këtë perceptim është emri i Feride Rushiti, e cila po konsiderohet si figurë jo-politike dhe potencialisht konsensuale. Analistët theksojnë se përfshirja e një kandidature të tillë e zhvendos debatin nga përplasjet partiake drejt një zgjidhjeje më gjithëpërfshirëse.
Ata argumentojnë se, në një situatë të polarizuar politike, propozimi i një emri me profil profesional dhe jashtë strukturave partiake i jep avantazh Albin Kurti në raport me kundërshtarët politikë, duke rritur gjasat për arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë në Kuvend.
Megjithatë, mbetet të shihet nëse kjo qasje do të përkthehet në mbështetje konkrete nga partitë opozitare gjatë seancës për zgjedhjen e presidentit, e cila pritet të jetë vendimtare për epilogun e këtij procesi politik.