Burime të Gazeta Minuti bëjnë të ditur se emri i Feride Rushiti si kandidate për presidente ka ardhur edhe si kërkesë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, një propozim që, sipas këtyre burimeve, është pranuar nga kryeministri Albin Kurti.
Feride Rushiti është një emër i njohur në fushën e të drejtave të njeriut dhe në vitin 2018 ishte në mesin e grave që u nderuan nga Shteti Amerikan me çmimin prestigjioz International Women of Courage Award (“Gratë e Guximshme”).
Ajo u radhit përkrah grave të suksesshme nga e gjithë bota, të cilat me angazhimin dhe guximin e tyre kanë ndikuar në ndryshimin e jetëve dhe shoqërive ku veprojnë. Në atë ceremoni ishte e pranishme edhe ish-Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump.
Rushiti është drejtoreshë e Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës dhe me profesion është mjeke. Gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, ajo kontribuoi në trajtimin e civilëve të lënduar, ndërsa në dy dekadat e fundit ka luajtur rol kyç në ndërtimin e kornizës ligjore për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave, si dhe në monitorimin e pavarur të institucioneve të paraburgimit.
Angazhimi i saj më i madh ka qenë dhe mbetet mbështetja për gratë e mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, një kauzë për të cilën ajo konsiderohet një nga zërat më të fuqishëm në vend dhe më gjerë.