Pritet të thirret seancë e jashtëzakonshme për Pakon 200 milionëshe

Burime të Gazeta Minuti bëjnë të ditur se është duke u planifikuar thirrja e një seance të jashtëzakonshme në Kuvend, me fokus kryesor miratimin e ndryshimeve buxhetore për këtë vit. Kjo nismë vjen si pjesë e përpjekjeve për të adresuar sfidat ekonomike dhe për të rritur mbështetjen ndaj kategorive të ndryshme të shoqërisë.

Sipas këtyre burimeve të Gazeta Minuti pas miratimit të ndryshimeve buxhetore do të hapet rruga për aprovimin e një Pakete për Rimekëmbje ekonomike në vlerë prej 200 milionë euro. Kjo paketë synon të lehtësojë barrën financiare të qytetarëve dhe të stimulojë sektorin privat, i cili vazhdon të përballet me vështirësi.

Një nga masat kryesore të propozuara është subvencionimi i punëtorëve të sektorit privat me 50% të pagës minimale në vend, si një formë direkte mbështetjeje për të ruajtur vendet e punës dhe për të rritur stabilitetin ekonomik të familjeve.

Po ashtu, në kuadër të kësaj pakete parashihet edhe ndarja e një pensioni shtesë për të moshuarit, me qëllim përmirësimin e mirëqenies së kësaj kategorie. Për familjet me fëmijë, është planifikuar një ndihmë prej 100 euro për çdo fëmijë, ndërsa studentët do të përfitojnë mbështetje financiare për të përballuar kostot e studimeve.

Në sektorin e bujqësisë, një tjetër masë e rëndësishme është rimbursimi i shpenzimeve për naftë për bujqit, duke synuar uljen e kostove të prodhimit dhe rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve vendore.