Burime të Gazeta Minuti brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës bëjnë të ditur se është arritur një marrëveshje politike mes kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, dhe ish-presidentes së vendit, Vjosa Osmani.
Sipas këtyre burimeve, marrëveshja parasheh një bashkëpunim të gjerë politik në prag të zhvillimeve të ardhshme zgjedhore, ku tashmë janë dakorduar edhe për ndarjen e roleve kryesore institucionale. Vjosa Osmani pritet të jetë kandidate për presidente, ndërsa Lumir Abdixhiku do të synojë postin e kryeministrit.
Brenda LDK-së, sipas burimeve të njëjta, kjo marrëveshje po shihet si një hap strategjik për konsolidimin e skenës politike dhe për krijimin e një alternative të fortë qeverisëse.
Megjithatë, pavarësisht se marrëveshja thuhet se është arritur në parim, ende nuk ka një konfirmim publik nga Lumir Abdixhiku apo Vjosa Osmani. Zyrtarizimi i saj pritet të ndodhë në ditët në vijim, duke sqaruar më tej detajet e këtij bashkëpunimi që mund të ketë ndikim të madh në zhvillimet politike në vend.