Kurti s’e ka mbështetjen e gjysmës së deputetëve, kritika të panumërta ndaj fjalimit në Këshill të Përgjithshëm

Kryeministri i Republikës së Kosovës, njëherit kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot ka mbajtur një fjalim të gjatë para bashkëpartiakëve të tij.

Fjalimi respektiv u bë para Këshillit të Përgjithshëm, në kuadër të zgjedhjeve të brendshme në këtë parti.

Megjithatë, ky adresim nuk shkoi siç është më së miri. Të paktën për nga kuptimi i deklaratave dhe reagimeve të mëpasshme.

“Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm – Egoizmat, karrierizmat, edhe brenda lëvizjes ku jemi në zgjedhje, po edhe në raport me shtetin e me qeverinë, e me kuvendin, nuk janë mënyra për të ecur përpara. Na duhet punë kolektive, punë ekipore, ku personat që e marrin një detyrë dinë të punojnë pa krijuar probleme mes grupit për shkak të egove të tyre. Nuk kemi nevojë për mendjemëdhenj. Kush e merr një pozitë në qeverinë time, e merr për të shërbyer dhe jo për të sunduar. Ministrat dhe zëvendësministrat në qeverinë e Republikës së Kosovës nuk janë shefa, janë udhëheqës të projekteve zhvillimore në përputhje me kushtetutshmërinë dhe me ligjet. Prandaj, modestia është cilësia që na duhet, sidomos në këtë kohë krize. E shoqëruar me vendosmërinë të cilën e kemi pasur përherë”, ka thënë ndër të tjerash i pari i Vetëvendosjes në Kosovë.

50% e deputetëve kundër
Kjo pjesë e deklaratës u pa si tejet problematike nga ish-këshilltari i tij, Durim Berisha.

Ky i fundit, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se “më shumë se gjysma e deputetëve” janë të pakënaqur me performancën e ministrave dhe vetë kryeministrit Kurti.

Ai ka kërkuar që Kurti të reflektojë dhe të përmirësojë rezultatet e punës, e jo të (sic) kërcënojë apo të ofrojë favore.

“Kur një kryetari të partisë i thonë më shumë se gjysma e deputetëve të grupit parlamentar se janë të pakënaqur me performancën e tij dhe ministrave të tij, ai reflekton duke u angazhuar të përmirësojë rezultatet e punës e jo duke i kërcënuar ata apo duke iu ofruar favore”, shkroi ndër të tjerash Berisha.

Veç tij, reagoi edhe zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi.

Zyrtarja e socialdemokratëve nga këndvështrimi i saj e etiketon paraqitjen e Kurtit si tentim për t’i kërcënuar opozitarët e mediat që po refuzojnë të nënshtrohen.

“Kurti, në fjalimin e tij të mbajtur sot para Këshillit të Partisë, deklaroi qysh mbështetja e aktivistit duhet të jetë e tëra në sukses e dështim.Nëse kjo s’flet për nënshtrim atëherë asnjë deklaratë diskursive nuk mund ta shpërfaqë.Kurti dëshiron t’i bëjë hisedarë imagjinarë të gjithë në pushtetin e tij, në fitore e humbje, arritje e dështim, ashtu që t’i nënshtrojë në hegjemoninë e tij. Kurtit i nevojitet teren homogjen ku kritika mbytet gati si natyrshëm, pa ndërhyrje të drejtpërdrejt të dhunshme sepse ai zgjati dorën kinse e do të bëjë bashkëpronarë në arritjet e dështimet e tij.Mos të harrojmë; ky nuk është mesazh vetëm për militantin e aktivistin e rëndomtë; ky mesazh, nën rreshta, është kërcënimi ndaj opozitës e mediave që po refuzojnë nënshtrimin”, shtoi Kuçi.