Vuçiq e falënderon Vatikanin që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar sot në një vizitë lamtumirëse me nunciun apostolik në Beograd, kryepeshkopin Luciano Suriani dhe e ka falënderuar për përpjekjet e tij personale për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Selisë së Shenjtë.

Presidenti Vuçiq ka theksuar se “bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Selisë së Shenjtë është shumë i mirë dhe në një nivel jashtëzakonisht konstruktiv” dhe i kujtoi vizitën e tij të mëparshme në Vatikan dhe fjalët e mençura të Papa Françeskut, të cilat “e bindën atë për pajtimin e qëndrimeve për shumë çështje të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare”, pretendohet në kumtesën për media të zyrës për media të Vuçiqit.

Vuçiq gjithashtu ka thënë se “marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Selisë së Shenjtë bazohen në respektin e vërtetë të ndërsjellë” dhe shprehu mirënjohjen ndaj Vatikanit për respektimin e integritetit territorial të Serbisë, përmes qëndrimit parimor për mosnjohjen e pavarësisë “së shpallur në mënyrë të njëanshme” të Kosovës.

Kryepeshkopi Suriani ka thënë se gjatë qëndrimit të tij gjashtëvjeçar në Serbi ka qenë dëshmitar i “zhvillimit të Serbisë” dhe në të njëjtën kohë ka mirëpritur “kontributin e madh të presidentit Vuçiq për paqen dhe stabilitetin në rajon”.