Arsyeja pse Albin Kurti i vendosi reciprocitet Serbisë/ Gjithçka në koordinim me ndërkombëtarët

Në mbledhjen e fundit, Qeveria e Kosovës miratoi udhëzimin për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale, sipas të cilit, të gjithë personat që kanë dokumente të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, do të duhet të pajisen me një certifikatë që i zëvendëson ato dokumente.

Qeveria Kurti vendosi këtë masë reciprociteti, pasi edhe shtetasit e Kosovës i nënshtrohen procedurës së njëjtë gjatë hyrjes në Serbi.

“Çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, në pikë-kalimet kufitare do të pajiset me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë”, ka thënë kryeministri Kurti pas vendimit për reciprocitet.

Ky vendim i Kosovës ashtu edhe siç pritej, nxiti reagime të shumta në Serbi, ku presidenti serb, Vuçiq tha se me këtë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “po i kërcënon me luftë serbët në Kosovë”.

Kurse përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak deklaroi se me vendimin për reciprocitet është krijuar një “situatë e re” në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

E doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi thotë se vendimi nga Qeveria Kurti është zbatim i të drejtës ndërkombëtare, dhe e vë në siklet shtetin serb.