Kryediplomatja e Sllovenisë, Tanja Fajon, ka thënë se bashkëndjen me popujt e Ballkanit Perëndimor për, siç thotë ajo, zemërimin, zhgënjimin ndaj BE-së.
Fajon ka përkujtuar kohën kur Kosova kishte përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim vizash më 2016-ën, por që prej atëherë nuk ka pasur progres nga ana e unionit evropian.
Fajon këto deklarata i ka dhënë në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve të Slloevnisë, duke e parë si “të hidhur” samitin e fundit ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
“Në këtë kontekst, kuptoj edhe zemërimin, e zhgënjimin e popujve të Ballkanit Perëndimor, sepse BE-ja po humbet besueshmërinë në procesin e zgjerimit. Kujtoni kur Kosova i përmbushi kushtet për liberalizimin e vizave vite më parë, por liderët evropianë ende nuk kanë gjetur konsensus politik deri më sot. Ngjashëm po ndodh edhe me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në fund të fundit, Bosnja e Hercegovina tashmë përmbush disa kritere për të marrë statusin e kandidatit. Mirëpo, megjithatë, Moldavia ka fituar statusin në një kohë shumë të shkurtër dhe pa asnjë kriter. Kjo është e vështirë për t’u kuptuar, e vështirë për t’u justifikuar, prandaj diskutimi me liderët e Ballkanit Perëndimor në samitin e Brukselit ishte shumë i hidhur”, deklaroi ndër të tjera ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë.
Kosova më 2016-ën kishte përmbushur të gjitha kriteter e liberalizimit të vizave me nënshkrimin e Demarkacionit për kufirin me Malin e Zi dhe ratifikimin e tij në Kuvendin e Kosovës, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi. Pritej që Kosova të futej në një pako me Moldavinë e Ukrainën për çështjen e të lëvizurit lirshëm në zonën Schengen.
Ajo ka thënë se i druhet një Iufte të mundshme, nëse BE-ja nuk angazhohet më shumë drejt Ballkanit Perëndimor.
Kryediplomatja sllovene ka njoftuar edhe se ka pasur një bisedë me ministren e Jashtme të Francës, Catherine Colonna, ku i ka kërkuar progres shtetit francez drejt Ballkanit Perëndimor.
Tanja Fajon ka shërbyer si raportuese për Kosovën për çështjen e liberalizimit të vizave për vite me radhë.