Tollovi në Merdare, Ambasada e Gjermanisë: Do të dëshironim që mallrat të lëviznin më shpejt

Dy javë pasi Kosova e hoqi pjesërisht ndalimin e importit të mallrave nga Serbia, kolona prej kilometrash në anën serbe të pikës kufitare Merdare nuk është duke u zvogëluar.

Në kolonë presin disa ditë edhe transportuesit që janë vetëm transit nëpër Kosovë, ose transportojnë mallra që nuk kanë origjinë nga Serbia.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Ambasada gjermane në Kosovë tha se “do të dëshironte që mallrat të lëviznin më shpejt përmes pikës kufitare”, por theksoi se rikthimi i importit direkt nga Serbia në Kosovë është një “arritje e rëndësishme”.

“Para së gjithash, është e rëndësishme të pranohet se vendimi [për heqjen e ndalimit të importit të mallrave nga Serbia] është duke u zbatuar”, tha Ambasada gjermane, duke shtuar se duhet bërë më shumë punë për lëvizjen më të shpejtë të mallrave në kufi.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha më herët se do ta monitorojë procesin e importit të mallrave nga Serbia, pasi vendi i tij i kërkoi Kosovës heqjen e ndalesës, në mënyrë që të zhbllokohej CEFTA, apo Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore, dhe të përparonte Procesi i Berlinit – një nismë kjo që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

Më 7 tetor, Qeveria e Kosovës e zëvendësoi vendimin për ndalimin e importit të mallrave me origjinë nga Serbia me një të ri që lejon importin, por vetëm përmes kufirit në Merdare dhe me kontroll të detajuar të sigurisë.