Arrestimi i Noizyt dhe DJ-it të tij në Shëngjin, policia: Do ekstradohen në Kosovë, akuzohen për lëndim të rëndë

Reperi i njohur Noizy dhe Dj i tij Bahtjar Bajraktari janë arrestuar mbrëmë në qytetin bregdetar të Shëngjinit.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit arrestimi i tyre u bë i mundur nga operacioni i koduar “Fast”, pasi ishin shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës. Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Fast”. Kapen nga Fast Albania dhe vihen në pranga 2 shtetas të kërkuar nga Policia e Kosovës.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Sektori për Kërkimin, Njësia “FAST Albania” në Departamentin e Policisë Kriminale në PSH, është marrë informacion nga FAST Kosova, për 2 shtetas të kërkuar për llogari të Kosovës, që mund të fshiheshin në Shqipëri.

Menjëherë, FAST Albania, bazuar në inteligjencën policore, bëri të mundur lokalizimin e 2 të kërkuarve, dhe në kuadër të operacionit policor “Fast”, kapi në Lezhë dhe arrestoi 2 shtetasit e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, konkretisht shtetasin R. R., nga Durrësi, dhe shtetasin B. B., nga Prishtina.

Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë”, thuhet në njoftimin e policisë.