Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar zhvillimet rreth Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke i dalë në mbrojtje deputetit të PDK-së, Përparim Gruda.
Në emisionin “Context” në ATV, Gjini tha se Aleanca e kishte mbështetur sinqerisht ligjin, por zhvillimet e fundit i cilësoi të turpshme.
“Kjo që ka ndodhur me të vërtetë është e turpshme. As taktikisht, si çështje ligjore, as strategjikisht, nuk ka kurrfarë lidhjeje me atë që të paktën ne si Aleancë e kemi marrë shumë sinqerisht”, deklaroi ai.
Gjini kritikoi edhe trajtimin e Grudës, duke thënë se fillimisht ishte promovuar nëpër studio televizive për ligjin, ndërsa tani po lihet i vetëm.
“E nxjerrin nën autobus njeriun që e nxorën nëpër studio me e bë ligjin. Le ta shkelë autobusi”, u shpreh Gjini.
Ai kritikoi edhe Qeverinë, duke thënë se kishte pritur dy javë, deri në ditën e fundit, për ta dërguar ligjin në Kuvend.
Ndryshe, Ligjin e ktheu në Kuvend Presidentja me kërkesë të PDK-së.