“Serbia nuk guxon as të mendojë për konflikt në Kosovë, derisa atje është NATO” – Thotë akademiku serb

Akademiku serb, Nenad Kostiq, ka thënë se konflikti i ngrirë mbetet një fuqi baroti, por, sipas tij, Serbia as nuk guxon të mendojë të shkaktojë konflikt në Kosovë derisa atje janë forcat e NATO-s.
Kostiq ka thënë se Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës paraqet një iniciativë të dy vendeve udhëheqëse të Bashkimit Evropian [plani franko-gjerman] për të zgjidhur përfundimisht çështjen e Kosovës dhe që Serbia të pajtohet sa më shumë me fqinjët e saj dhe përfundimisht “një ditë të anëtarësohet në BE.

I pyetur për konfliktin e ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë, akademiku serb tha se konflikti nuk është i ngrirë, por në zjarr i ngadaltë dhe se problemi me çdo konflikt të tillë është se mund të shkrihet.

“Një konflikt i ngrirë është një fuçi baruti që pret vetëm një fitil”, paralajmëroi Kostiq dhe shtoi se ata që e mbrojnë atë fantazojnë se gjithçka do të shkojë sipas dëshirës së tyre në të ardhmen, por se ai është kundër një konflikti të ngrirë.

Kostiq, për mediat serbe, theksoi se konfliktet duhet të zgjidhen me diplomaci dhe marrëveshje dhe përmendi shembujt e vendeve që kanë qenë në luftë dhe që sot bashkëpunojnë, si Franca dhe Gjermania dhe Amerika dhe Japonia.

I pyetur për mundësinë e shpërthimit të konfliktit, Kostiq vlerësoi se konfliktet janë verbale, ideologjike dhe propagandistike dhe se Serbia nuk mund të shkaktojë konflikt derisa forcat e NATO-s janë në Kosovë dhe as nuk mendohet kjo.

“Mirë që nuk mendohet”, ka thënë Kostiq dhe ka vlerësuar se edhe Serbia edhe Kosova janë të kufizuara në veprimet e tyre.

“Ne jemi aq të kufizuar në aktivitetet tona të politikës së jashtme, saqë ambasadori amerikan, kur një bateri artilerie ushtarake u zhvendos nga Nishi në Rashkë me kërkesë të Presidentit të Republikës, erdhi dhe tha se duhej të kthehej në Nish dhe ‘përfundoi në Nish’”, ka thënë Kostiq.

Ai beson se Kosova është e dobët për të shkaktuar ndonjë konflikt serioz, i bindur se “mentorët e tyre perëndimorë” ua kanë ndaluar të shkaktojnë konflikt dhe se janë urdhëruar që të “heshtin dhe të durojnë” qoftë edhe një incident, si ai në Banjskë, me qëllim të pajtimit me Serbinë.

Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kostiq beson se kjo është në interesin e minoritetit serb në Kosovë që të ketë një lloj autonomie dhe organizim territorial, por se shqiptarët po e refuzojnë fuqishëm dhe nuk do ta përmbushin atë detyrim nga Marrëveshja e Brukselit, por nuk po u bëjnë presion as aleatëve të tyre perëndimorë.

Ai vlerësoi se Asociacioni, edhe nëse themelohet, do të jetë i dobët, por çështja është se sa do ta respektojnë marrëveshjen të dyja palët.

“Unë jam shumë skeptik për gjasat e një autonomie thelbësore, të dobishme, ekzekutive të serbëve në Kosovë”, tha Kostiq.

I pyetur për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, ai tha se si qytetar mund të jetë për çdo gjë, por pyetja është se çfarë duhet të bëjnë udhëheqësit shtetërorë të Kosovës dhe Serbisë.

“Ata duhet të zbatojnë marrëveshjen e tyre të shkruar, ku thuhet qartë se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, përkujtoi Kostiq.

I pyetur nëse zgjidhja e çështjes së Kosovës duhet të arrihet përmes konferencës ndërkombëtare apo dialogut, Kostiq tha se gjatë historisë konferencat ndërkombëtare dhe konferencat e paqes janë organizuar shpejt pas përfundimit të luftës dhe se tani është tepër vonë për një gjë të tillë.

“Kosova u bë de facto e pavarur 25 vjet më parë. Ajo shpalli pavarësinë 16 vjet më parë. Rruga e mëtutjeshme e zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është shumë e ngushtë. Nuk e shoh këtu terren, as nevojën për një konferencë të madhe. Për këtë duhet të bien dakord ata që janë në pushtet në Prishtinë dhe Beograd, natyrisht nën kujdesin e fuqive të forta”, shtoi Kostiq.