Grekët tani i vlerësojnë shumë shqiptarët, por politika i ngatërron sërish punët

Nga Ronald Meinardus – Kathimerini

Është e vështirë të imagjinohet jeta e përditshme në Greqi pa ta. Njerëzit me origjinë shqiptare kryejnë punët më thelbësore për shumë shërbime të përditshme, sidomos në profesionet e kualifikuara. Sigurisht, marrëdhënia e tyre me shumicën e popullsisë greke, ka përjetuar ulje dhe ngritjet e veta. Por kohët kur emigrantët nga vendi fqinj buzë Adriatikut, shiheshin si një konkurrencë e rrezikshme dhe shpesh përballeshin me një diskriminim racor, i përkasin tashmë së shkuarës.

Sot mund të thuhet se është zhdukur ndjenja e përhapur antishqiptare e viteve 1990, kur qindra mijëra njerëz u dyndën përtej kufirit jugor, në kërkim të një të ardhmeje më të mirë pas shembjes së komunizmit shqiptar.

Sot, emigrantët nga Shqipëria përbëjnë grupin më të madh të të huajve në Greqi, me thuajse 2/3 e të huajve të regjistruar që vijnë pikërisht nga Shqipëria. Por edhe pse janë grupi më i madh me prejardhje emigrante, shqiptarët e Greqisë janë më pak të dukshëm, pasi janë përshtatur dhe integruar si asnjë grup tjetër kombëtar në vitet dhe dekadat e fundit, aq sa dikush mund ta përshkruajë këtë si asimilim.

“Ndryshimi që pësojnë shumë emigrantë, ndikon madje edhe në personalitetin dhe pamjen e tyre të jashtme”, vuri në dukje një gazetë e përditshme austriake në një artikull të vitit 2014 me titullin “Shqiptarët e fshehur të Greqisë”. Nëse autori do të shkruante sot për komunitetin shqiptar në Greqi, ai mund ta titullonte tregimin “Shqiptarët shumë të pëlqyer të Greqisë”. Ky mendim mbështetet edhe nga një sondazh i opinionit publik i publikuar së fundmi në Athinë, dhe i kryer nga Njësia e Kërkimit të Tregut në Universitetin e Maqedonisë, në bashkëpunim me grupin e ekspertëve ELIAMEP në emër të Fondacionit Konrad Adenauer.

Sondazhi hulumtoi qëndrimet e grekëve ndaj marrëdhënieve dypalëshe, dhe pikëpamjet mbi e tyre mbi shqiptarët që e kanë bërë Greqinë shtëpinë e tyre. Rezultatet janë çuditërisht pozitive. Pothuajse 78 për qind e tyre, thonë se njerëzit që kanë ardhur nga Shqipëria po japin një kontribut pozitiv në zhvillimin ekonomik të vendit të tyre.

Akoma më i lartë është numri i atyre (80 për qind), që besojnë se fëmijët e emigrantëve shqiptarë që janë rritur në Greqi dhe kanë shkuar në shkollë atje, janë plotësisht të integruar në shoqërinë greke. “Fëmijët e tyre janë si ne, sot nuk ka më dallime”- thotë profesor Joanis Armakolas nga ELIAMEP.

Ai vlerëson ndër të tjera cilësitë e jashtëzakonshme të shumë studentëve me origjinë shqiptare në fakultetin ku jep mësim. Ndërsa raportimet mbi ksenofobinë dhe intolerancën ndaj të huajve janë bërë të zakonshme në Evropë, bien në sy për mirë statistikat që vijnë nga Greqia.

Armakolas flet gjithashtu për një “histori suksesi greko-evropian”. Këto gjetje vlejnë për t’u përmendur dhe nxjerrë në pah, pasi janë në kontrast me perceptimet greke mbi marrëdhëniet politike midis Athinës dhe Tiranës. Profesor Armakolas e përshkruan këtë si një “paradoks”, sepse ndërsa po përmirësohen qëndrimet e grekëve ndaj emigrantëve shqiptarë, vlerësimet mbi marrëdhëniet politike me fqinjin tonë veriore janë dukshëm më të këqija. Kështu, vetëm një në pesë grekë (20 për qind), ka një opinion pozitiv për vendin fqinj, ndërsa 40 për qind kanë një pikëpamje negative.

Po ashtu, sondazhi tregon opinione të këqija të shumicës së grekëve për Maqedoninë e Veriut, teksa Bullgaria dhe Serbia gëzojnë vlerësimet më të larta në këtë pyetësor. Rasti i kryebashkiakut të dënuar me burg të Himarës, Fredi Beleri, ka shkaktuar tensione të reja kohët e fundit.

Qeveria e Athinës e vendosi politikanin shqiptar me origjinë greke në listën e saj për zgjedhjet e Parlamentit Evropian të zhvilluara në fillim të këtij muaji, duke tërhequr vëmendjen e mediave, por edhe duke i tensionuar më tej marrëdhëniet dypalëshe.

Një nga rezultatet intriguese të sondazhit, është se një shumicë e konsiderueshme e grekëve të pyetur, nuk e ndajnë këtë vlerësim negativ. Dy të tretat (66 për qind), thonë se ka çështje më të rëndësishme në marrëdhëniet greko-shqiptare sesa rasti i kryebashkiakut të burgosur.

“Shoqëritë janë të gatshme për përmirësimin e marrëdhënieve. Politika duhet ta marrë parasysh këtë. Shoqëritë greke dhe shqiptare janë përpara politikës”, përfundon Armakolas.

* Dr. Ronald Meinardus, studiues në Fondacionin Helen për Politikën Evropiane dhe të Jashtme (ELIAMEP).