Lushi paralajmëron Kurtin: Të rrëzojmë aq shpejt sa habitesh

Aktivisti shqiptar në SHBA, njëherit ish-pjesëtar i UÇK-së në Batalionin “Atlantiku”, Uk Lushi, ka reaguar ashpër për marrëveshjen e nënshkruar dje mes Kosovës dhe Serbisë për energjinë.

Me anë të një postimi në Facebook, Lushi ka thënë se Kurti sipas tij “po shet dokrra retorike” dhe nuk po i ndryshon gjërat për të mirë, shkruan lajmi.net.

“Mos shit dokrra retorike. Të kemi vendosur në krye të ndryshosh gjërat dhe t’i bësh më mirë. Nuk mundesh, e pakta dorëhiqu me nder. Patrioti kur nuk mundet, jep dorëheqje. Nëse e di që diçka është e dëmshme dhe po e nënshkruan ti je më i keq se ata që bëjnë gabime dhe dëme nga padijenia”, ka shkruar Lushi.

Lushi ka thënë se Kurti duhet të marrë kredite edhe për vendime që nuk janë të mira për Kosovën, dhe jo vetëm për ato që i shkojnë për shtati.

Madje Lushi, paralajmëron Kurtin se “mund të rrëzohet aq shpejt sa që do të habitej”.

Postimi i plotë i Lushit:

Albin Kurti, mos u bëj matrapaz!

Nëse diçka është e keqe mos e nënshkruaj. Mos e dëmto me dorën tënde interesin dhe të ardhmen e shqiptarëve.

Mos shit dokrra retorike. Të kemi vendosur në krye të ndryshosh gjërat dhe t’i bësh më mirë. Nuk mundesh, e pakta dorëhiqu me nder. Patrioti kur nuk mundet, jep dorëheqje. Nëse e di që diçka është e dëmshme dhe po e nënshkruan ti je më i keq se ata që bëjnë gabime dhe dëme nga padijenia.

Mjaft me tentim justifikime duke shfrytëzuar vetëm të tjerët dhe vendimet e tyre. Je në pushtet dhe qeveris e merr vendime që janë të mira për vendin dhe shqiptarët. Nuk mund merr kreditin vetëm për vendime që, sipas teje, janë të mira. Duhet të marrish edhe përgjegjësinë për vendime të vështira. Ose mos i merr.

Retorika jote nuk kalon dhe nuk do ta pranojmë. Ne duam që të kesh sukese sepse sukesi yt është i yni. Por, nëse vazhdon me hedhje hiri në sytë tonë, do të të rrëzojmë aq shpejt sa do të habitesh!.