Tadiç, Vuçiçit: “Vendimin e GJND-së për pavarësinë e Kosovës po e lexon si shqiptarët”

“Skandaloze” e quajti ish-presidenti serb, Boris Tadiç, referimin që presidenti serb aktual Aleksandër Vuçiç i bëri vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, përkatësisht vlerësimit pozitiv të GJND-së se shpallja e pavarësisë së Kosovë është në pajtim me ligjin ndërkombëtar.

Tadiç tha se Aleksandër Vuçiç po e interpreton vendimin e GJND-së njëjtë siç e interpretojnë shqiptarët dhe përkrahësit e Kosovës, dhe se nuk po u qëndron aspekteve të cilat u qëndron Serbia.

“Në seancën për Kosovës, Presidenti i Serbisë, përsëri po punon kundër interesave të Serbisë. Në vend se t’i qëndrojë aspektit të përgjigjes së GJND-së e cila NUK thotë se pavarësia e njëanshme e Kosovës është NË PAJTIM me të drejtën ndërkombëtare, ai këmbëngulësisht nënvizon vetëm aspektet të cilave u përmbahen shqiptarët”, ka shkruar Tadiç në Twitter.

Tadiç mendon se Vuçiç është dashur të bëjë një inversion në intepretim, derisa akuzon atë se po e miraton qëndrimin e Kosovës.

“Në vend se ta mbajë letrën kah vendimi si president serb dhe të thotë ‘ata nuk thanë se ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare’, ai me këmbngulje thotë se ‘ata nuk thanë se ishte shkelje e të drejtës ndërkombëtare’”, ka shkruar Tadiç.

Tadiç pretendon se GJND-ja i është shmangur pyetjes së autoriteteve serbe nl atë kohë.

“Po të ishte shtruar pyetja gabim, ata nuk do t’i ishin shmangur të dhënit një përgjigje të qartë, dhe shtetet nuk do të kishin hequr dorë nga pavarësia e Kosovës bazuar në përgjigjen e pakërkuar të dhënë”.

“Është skandaloze që presidenti i Serbisë e interpreton vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në përputhje me interesat e palës shqiptare dhe punon drejtpërdrejt kundër interesave të vendit tonë, vetëm për hir të një lufte të lirë të brendshme politike dhe sulmeve ndaj kundërshtarëve politikë”, ka përfunduar Boris Tadiç.

Edhe në maj të këtij viti, Tadiç e kishte thënë të njëjtën gjë për Aleksandër Vuçiç, se po e lexon vendimin e GJND-së si përkrahësit e pavarësisë së Kosovës.

“Vuçiç tani për të disatën herë e ka interpretuar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në përputhje me interesat e atyre që avokojnë për Kosovën e pavarur dhe jo në përputhje me interesat e Serbisë. Kjo qeveri është e njohur për kërcënimin ndaj integritetit territorial të Serbisë për një dekadë”.

“Veçanërisht e pakuptimtë është pretendimi i tij që problemi është te fjalitë jokorrekte në pyetje. Rezultati do të ishte i njëjtë nëse pyetja do të bëhej në këtë mënyrë siç e kishte formuluar Vuçiç tani dhe gjykata do ta kishte shmangur përgjigjen. Të pretendosh të kundërtën është populizëm i pastër dhe i rrezikshëm”, kishte shkruar Tadiç