Me doza të forta ironie, sikurse bën gjithnjë, deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Saimir Korreshi foli në një intervistë për ABC Live për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet Lushnja.
Si pasojë e vështirësive të mëdha ekonomike, Korreshi tha se në Lushnje është e vështirë të martohesh. Deputeti tha se ikja e gjykatës sipas hartës së re gjyqësore është një problem i shtuar për qytetarët.
“Në fshatra janë djemtë beqarë se nuk u jep njeri nuse. Është hall i madh të martohesh në Lushnje. Nuk vjen njeri. Është për të qeshur, por me ikjen e gjykatës ky qytet po degradon ditë pas dite. Është vendim absurd i KLGJ. Krahas gjykatës duhet të kuptojmë që ikën edhe prokuroria. Është shkrirë gjykata e Kavajës dhe IEVP e Rrogozhinës nuk vjen në Lushnje, por shkon në Durrës”, tha ai.
Korreshi theksoi se bizneset janë kthyer në familjare në këtë qytet, pasi nuk ka fuqi punëtore.
“Unë jetoj në Lushnje, e përjetoj çdo ditë. Jetën time pasditeve, banoj në këtë qytet. Kam familjen, fisin, e shikoj që bizneset po kthehen në familjare. Nuk gjen djem për të punuar. Pronari punon vetë edhe banakier edhe kamerier”, u shpreh deputeti demokrat.
Korreshi thotë më tej se bujqësia është i vetmi aktivitet që mban Lushnjen, ndërsa shton se fermerët nuk trajtohen njësoj nga qeveria.
“E vetmja mënyrë që ka popullaritet Lushnja është pjesa e bujqësisë, pavarësisht se edhe ata qahen. Vërtet mbjellin, por nuk shesin. Duhet një ndërhyrje e shtetit. Konkurojnë shumë 200 fermerë dhe fitojnë vetëm ata që kanë teseren e PS”, tha ai.
Duke u ndalur te reforma e re territoriale, Korreshi propozon që Lushnja dhe Divjaka të bëhen qark.
“Unë do të propozoja që Lushnja dhe Divjaka të bëhen qark. Në numër popullsie kalojnë pese qarqe. Ka rritje të punonjësve të bashkisë dhe zero shërbim”, tha deputeti.