Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka përsëritur se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Ajo në një intervistë për mediumin boshnjak FENA, ka thënë se Kosova është duke u fokusuar në marrëveshjen finale që duhet të rezultojë në njohje reciproke.
“Në vend të kësaj, ne fokusohemi në marrëveshjen përfundimtare që duhet të rezultojë me njohje reciproke siç ia kanë bërë të qartë Vuçiqit, presidenti Biden dhe kancelari Scholz”, ka thënë Gërvalla.
Kujtojmë se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, me rastin e shënimit të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ka dërguar një letër urimi në adresën e presidentes kosovare Vjosa Osmani.
Ai ka thënë mirëpret ‘po-në’ e autoriteteve kosovare për propozimin e Bashkimit Evropian me të cilin synohet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Biden ka përmendur në letër “njohjen reciproke si qëllim eventual” të SHBA-ve në kuadër të procesit të dialogut Prishtinë-Beograd nën ndërmjetësimin e BE-së, ndryshe nga herët e kaluara kur përmendte specifikisht përkushtimin për “njohje reciproke në qendër”.
“Ne mirëpresim miratimin tuaj të propozimit të BE-së për normalizimin, me qëllimin përfundimtar të njohjes reciproke, e cila do të ndihmonte në sigurimin e një të ardhmeje më të qetë dhe më prosperuese për popullin e Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Biden.