Votuesi nuk ka faj. Nuk e ka të lehtë ta kuptojë se për çka qëndron LDK-ja, kur për 18 muaj kaluam nga “me Kurtin nuk bisedojmë”, te “duam zgjedhje”, pastaj “duam bashkëqeverisje”, e tani te “hajde ta bëjmë bashkë Presidentin”. Ndërkohë, vendi shkoi në tri palë zgjedhje dhe po rrezikon edhe të katërtat, pa qeveri dhe pa institucione funksionale.
E tash, qenkan bërë eksponentë të Vetëvendosjes për t’i gjetur gjashtë deputetë të LDK-së fajtorë për dështimin e tyre për ta nënshtruar LDK-në, dhe Kosoven.
Ku janë parimet? Ku është konsistenca? Ku është drejtimi? Ku është ideali?
Jo të nderum. LDK-ja nuk nënshtrohet dhe nuk shantazhohet. Kot e keni.
Kosovës i duhet LDK-ja e vërtetë: një LDK që ka politika, programe, aleanca dhe vizion për zhvillimin e vendit; një LDK që bashkëpunon, por që nuk e humb identitetin dhe parimet e saj.
Prandaj, kjo është koha të kthehemi te vetja, te parimet dhe te qytetarët. Të ndërtojmë një LDK të qartë në qëndrime, të qëndrueshme në vendime dhe të besueshme në veprime.
LDK-në që i duhet Kosovës nuk e presim. E ndërtojmë. Dhe e ndërtojmë bashkë. Tash.