Kamberi thotë se Lugina e Preshevës është në agjendën e Kurtit për përfshirje në dialog

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se është duke bërë përpjekje që çështja e Luginës së Preshevës të përfshihet në dialogun e Brukselit.

Kamberi madje deklaroi se Presheva është në agjendën e Kurtit për përfshirje në marrëveshje, por se ka dyshime se sa do mundet që kjo të pranohet edhe nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë në dialog, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Kemi bërë përpjeke vitet e fundit që çështja e Luginës të jetë pjesë e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë dhe si pjesë e domosdoshme e një marrëveshje eventuale që do të arrihet duke konsideruar se nëse mbetet qoftë edhe një çështje diskutabile në mes dy shteteve në rast të arritjes së marrëveshjes eventuale, ajo do të jetë një burim që do të gjenerojë edhe në të ardhmen krizat në raportin mes tyre”.

“Lugina e Preshevës ka qenë në agjendën dhe është në agjendën kryeministri Kurti, çështja është se sa do të arrihet te ndërmjetësuesit ndërkombëtarë kjo çështje të futet, por se është në agjendën e kryeministrit dhe Qeverisë është e dukshme. Kemi buxhetin edhe për vitin e kaluar edhe për këtë vit që akordohet për Luginë të Preshevës, kemi një mbështetje të vazhdueshme”, tha Kamberi në TV1.

Ditë më parë, Kamberi ia kishte dërguar një letër emisarit të ShBA’së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke kërkuar përfshirjen e Preshevës në dialog.

Lidhur me këtë, ai tha se ShBA megjithatë po i shmanget kësaj çështjeje pasi nuk janë ata ndërmjetësues në dialog, por është BE’ja.

“Por pjesë e kësaj marrëveshje besojmë që duhet të jetë edhe çështja e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, duke besuar se mund ta shtim këtë temë… SHBA disi ju kanë shmangur përgjegjësisë dhe obligimit që ta çojnë këtë temë përpara për faktin se ata nuk janë ndërmjetësues në dialog se ndërmjetësues janë Bashkimi Evropian dhe duhet të adresoheni tek ata”, tha Kamberi.