Haradinaj-Stublla për zhvillimet në veri: Qeveria dhe opozita të bëhen front i përbashkët politik kundër Serbisë

Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar mbi zhvillimet në veri të vendit.

Përmes një postimi, Haradinaj-Stublla ka thënë se Vuçiqi nuk e do marrëveshjen finale me Kosovën, prandaj gjen mënyra të instrumentalizimit të serbëve të Kosovës përmes terrorit politik orkestruar nga Moska.

“Kosova për secilin veprim të qëndrojë e palëkundur në bashkëpunim të ngushtë me SHBA, KFOR-in (NATOn), dhe katër shtetet tjera aleate të Kuintit. Poashtu, të mbetet e përkushtuar për secilin propozim për marrëveshje finale që e ka vulën e Shtëpisë së Bardhë”, shkruan ish-ministrja e Jashtme e Kosovës.

Tutje, Haradinaj-Stublla, ka theksuar se “opozita tani të mos fillojë përdorimin e Serbisë për vota e sulm ndaj qeverisë”, sepse sipas saj kështu e godasin veten dhe Kosovën, “por të bëhen front i përbashkët politik kundër Serbisë”.