Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës në krye me Albin Kurtin, që shoferët të cilët lëvizin me targa ilegale me akronime si ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ apo ’ĐA t’i konvertojnë ato në RKS, ose në të kundërtën ndaj tyre të lëshohen fleta qortimi, ka çuar peshë gjithë veriun e vendit, raporton Gazeta Sinjali.
Ishte ish-drejtori i Policisë Rajonale në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriq, ai i cili doli haptazi dhe deklaroi se pjesëtarët e Policisë nuk do të zbatojnë këtë vendim të Qeverisë. Kjo deklaratë u bë sebep që i njëjti të suspendohet nga detyra, nën dyshimet se ka konsumuar veprat penale ‘Sabotimi’ dhe ‘Thirrje për rezistencë’. Me suspendimin e tij pasuan edhe dorëheqjet e një pas njëshme të përfaqësuesve politikë e insititucionalë serbë, të cilët kanë marrë vendim që t’i bojkotojnë institucionet e Republikës së Kosovës.
E gjithë kjo situatë e krijuar ka nxitur reagime të mëdha në vend. Krerët e partive opozitare janë shprehur të shqetësuar me zhvillimet në veri dhe të njëjtit kanë kërkuar nga kryeministri Kurti që të japë detaje lidhur me ngjarjet dhe të ketë koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tjerë evropianë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një reagim publik tha se situata është duke ndryshuar nga ora në orë dhe se sipas tij, rreziku i përshkallëzimit është evident.