Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani ka reaguar ndaj Fatmir Limajt i cili kritikoi ashpër, dhe fyeu Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti.
“Janë njerëz që flasin e mashtrojnë… Kosova qeveriset nga një grup njerëzish të papërgjegjshëm, pa vizion. Sot kemi qeveri pa plan e pa program. Qeveria e ka humbur komunikim me qytetarët e partnerët e vet. Unë bëj thirrje për një front të përbashkët politik. Na duhet ta shërojmë këtë helm që e ka ngritur kjo qeveri te qytetarët”, ka thënë ndër tjera Fatmir Limaj.
Zogiani përmes një shkrimi të publikuar në Facebook, thotë se, Limaj është opozitari më i helmuar dhe me urrejtje kundër kryeministrit dhe LVV-së.
Ndër tjera Zogiani në këtë shkrim tregons e çfarë i kishte thënë Limajt.
“I pata thënë njëherë ka goxha do vite që e keni shndërruar shtetin ne OJQ, tha, po ka plot 12 vjet që po e luajmë shtetin. Kjo pat ndodhur ne Hotel Grand gjatë një pritjeje nga Ambasada Amerikane në kohën e Tina Kaidanov”, shkruan Zogiani.
Sipas tij, “Limaj ishte fort i vetëdijshem për atë që po bënte politika në shumë drejtime, e sidomos në lidhje me Serbinë”.
“Ai ishte një patriot, patriotizmi i të cilit u zëvendësua nga praktika tipike lindore të politikanëve. Luks, afera, jetë e errët me një fjalë”, shkruan ai.
Shkrimi i plotë:
Ku e ka hallin Fatmir Limaj?
Kam vënë re se Limaj është eksponenti opozitar mbase më i helmuari me urrejtje kundër Kryeministrit dhe VV-së.
Gjuha e tij kap ekstremet më të skajshme të urrejtjes, e pardje kapi një nga këto amplituda kur tha, ta heqim këtë helm!
Shumë komentues e definojnë këtë thjesht si një frustrim që vie nga “pamundësia për të vjedhur”.
Nuk e shof kështu. Nuk them se mungesa e përdorimit të pushtetit për qëllime të ngushta nuk është një pjesë e burimit të këtij frustrimi, por madje mendoj që nuk është as kryesori.
Duhet ta njohësh më mirë Limajn për ta kuptuar ku e ka…
Limaj ka qenë një djalë patriot e besa edhe luftëtar nga ata të rrallet. Pas lufte ai kishte pretendime për lider relevant të politikës që pretendonte trashëgiminë e UÇK-së, por disi gjithmonë e ka humbur hapin për të qenë i tillë.
Në fund pikërisht nga lodhja e të qenit i treti, i katërti, e i pesti, doli nga PDK dhe historia e më vonshme tregon se ai këtë ndarje e ka bërë ekskluzivisht per arsye të egos së vet, duke qenë se sjellja e tij per çështje relevante politike nuk ndryshoi kurrë nga ajo e PDK.
T’i kthehemi patriotizmit. Duke qenë se nuk u bë kurrë relevant, ai u detyrua të jetë përcjellës i tjerëve. Nuk arriti të krijojë përkrahje autentike politike dhe kështu në politikat nacionale u be një përcjellës i thjesht i “kompromiseve të dhimbshme” që po bënin ish-shokët e tij.
Në tërë këtë proces ai përjetonte dy konflikte të brendshme. E para pse nuk ishte aq relevant për të treguar se është patriot dhe e dyta se ai patriotizëm po i venitej sepse gjatë kësaj kohe kaloi nëpër kompromise të dhimbshme të brendshme.
I pata thënë njëherë ka goxha do vite që e keni shndërruar shtetin ne OJQ, tha, po ka plot 12 vjet që po e luajmë shtetin. Kjo pat ndodhur ne Hotel Grand gjatë një pritjeje nga Ambasada Amerikane në kohën e Tina Kaidanov.
Pra, Limaj ishte fort i vetëdijshem për atë që po bënte politika në shumë drejtime, e sidomos në lidhje me Serbinë.
Ai ishte një patriot, patriotizmi i të cilit u zëvendësua nga praktika tipike lindore të politikanëve. Luks, afera, jetë e errët me një fjalë.
Mirëpo, Limaj tashti e ka një problem të ri. Ai nuk e ka menduar që do të vinte një dite si kjo kur do të përballohej me faktin që dikush ne politikën kosovare mund të jetë patriot dhe relevant njëkohësisht. Kjo e ekspozon atë në radhë të parë para vet-vetes. E kur e zbulon të vërtetën e pakëndshme për vetën është shumë e vështirë, sepse njeriu mund të ikë nga gjithkush e çkado, por jo nga vet-vetja.
Prandaj Limajt pardje i doli kaq natyrshëm ajo deklarata: Kurti po mashtron popullin me patriotizëm.
Patriotizmi, zoti Limaj, nuk është mashtrim, është vlerë!