Toma Gashi e shokon PDK-ne per projektligjin e Speciales, ja cka i zbuloi

Një ligj që u votua para 11 vitesh, tashmë po i shihen pasojat. Kërkesa e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara po cilësohet si e pavlerë nga avokati Tomë Gashi, i cili thotë se kjo nismë, edhe nëse kalon në Kuvend, nuk mund të ndryshojë realisht asgjë në procesin që tashmë ka avancuar në Hagë. Sipas tij, iniciativa ka më shumë peshë politike sesa juridike.

 

Gashi ka thënë se iniciativa e PDK-së, përveç aspektit politik, nuk mund të prodhojë efekt juridik, pasi sipas tij, ndryshimi i Ligjit për Specialen do të kërkonte paraprakisht ndryshime kushtetuese.

 

Ai ka ngritur gjithashtu një pikëpyetje lidhur me faktin se PDK-ja i është drejtuar Kuvendit për një ndryshim ligjor, ndërkohë që e njëjta parti e konsideron Kuvendin të pakonstituuar dhe çështjen e konstituimit e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

“Unë mendoj fillimisht që PDK-ja do të thotë ku do ta dërgojë këtë faktikisht, për shkak se Parlamentin e Republikës së Kosovës ata e konsiderojnë të pakonstituar. Dhe për këtë arsye kanë dërguar faktikisht kërkesa apo padia apo çfarëdo diçka dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Kështu që sipas Partisë Demokratike të Kosovës, ne kemi një konstituim të Parlamentit të Republikës së Kosovës paksa do të thotë të mangët, apo sipas tyre me shkelje kushtetuese. Do të thotë kjo është pika fillestare”, ka thënë Gashi për EkonomiaOnline.

Sipas tij, edhe përmbajtja e propozimit për ndryshimin e Ligjit për Specialen është juridikisht e pamundur për t’u realizuar në këtë fazë.

“Pastaj unë kam dëgjuar faktikisht në konferencë se çfarë thuhet për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale, dhe besoj që edhe ata vetë e dinë që kjo është e pamundshme. Do të thotë gjithë kjo energji që është duke iu shpenzuar, unë besoj që është gjithçka me mendime të mira, por është tepër vonë. Duhet ta dimë që ligjin për Gjykatën Speciale fillimisht është nxjerrë ky ligj më 3 gusht të vitit 2015, pasi që paraprakisht janë bërë ndryshime kushtetuese. Dhe pa ndryshimin e Kushtetutës sonë është e pamundshme do të thotë që asnjë pikë, asnjë presje e ligjit për Gjykatën Speciale të ndryshohet. Mendoj që kjo është një çështje vetëm në aspektin politik, por praktikisht nuk ka kurrfarë vlere”, ka deklaruar ai.

Gashi ka folur edhe për pretendimin se Specialja ka dalë jashtë mandatit të saj, duke e cilësuar të gabuar një qasje të tillë.

“Pastaj kam dëgjuar do të thotë që tentohet të ndryshohet ligji për Gjykatën Speciale kinse Gjykata Speciale ka dalë jashtë mandatit të saj, dhe mendoj që edhe kjo është e gabuar. Sigurisht që kam dëgjuar do të thotë që me këtë propozim apo të ndryshimit të ligjit për Gjykatën Speciale, këtë le të themi kështu, këtë projektligj, është paraparë që Gjykata Speciale të merret me çështje të trafikimit të organeve njerëzore ashtu siç janë paraqitur në raportin e senatorit zviceran Dick Marty, i cili e ka paraqitur këtë para Këshillit të Evropës”, ka thënë Gashi.

Ai ka pretenduar se hetimet e zhvilluara për këto akuza nuk kanë gjetur prova për trafikim të organeve njerëzore.

“Por duhet ta dimë që Këshilli i Evropës ka urdhëruar do të thotë një trup hetuese, e cila ka qenë e përbërë prej prokurorëve amerikanë, do të thotë dhe për katër vite nuk kanë gjetur asnjë gjurmë dhe asnjë provë të trafikimit të organeve njerëzore. Kështu që asnjëherë kurrë, deri sa njerëzimi të ekzistojë, asnjë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe asnjë shqiptar tjetër nuk do të akuzohet kurrë për trafikim të organeve njerëzore, jo vetëm që nuk i kanë gjetur prova, por thjesht për arsye se kjo nuk ka ndodhur. Dhe si është e mundshme pastaj të kërkohet diçka që të hetohet që kurrë nuk ka ndodhur?”, ka deklaruar avokati.

Gashi ka kundërshtuar edhe idenë që përmes ndryshimit të ligjit të hapen hetime të reja për çështje për të cilat, sipas tij, tashmë ka pasur vendimmarrje gjyqësore.

“Pastaj sa unë e kam kuptuar në këtë projektligj do të proposed që të hetohen apo eventualisht të gjykohen apo paraprakisht të akuzohen, nëse gjenden prova sigurisht, persona të caktuar për atë çfarë Gjykata Speciale ka nxjerrë aktgjykim lirues, e që është pretendimi për krime kundër njerëzimit. Do të thotë prapë janë çështje kontradiktore. Si mund të hetohet diçka që gjykata pas hetimit, po e them, pas hetimeve që kanë qenë edhe më herët për më tepër se katër vite, pastaj pas hetimit mbi gjashtë vjet, do të thotë deri sa zotëri Thaçi dhe të tjerët janë në Gjykatën Speciale në paraburgim, pastaj pas gjykimit që ka zgjatur rreth tri vite e gjysmë, gjykata nuk ka gjetur asnjë mbështetje le të themi të saj të pretendimit të Prokurorisë Speciale në Hagë për dyshime për veprën penale të krimit kundër njerëzimit? Do të thotë prapë është një anomali tjetër, thuajse po kërkohet diçka për të cilën ne kemi fatmirësisht një aktgjykim lirues. Do të thotë këto janë hipoteza politike, mirëpo efekti nuk do të arrihet fare”, është shprehur ai.

Avokati Gashi ka thënë se iniciativa mund të ndikojë vetëm në aspektin politik, duke e lidhur atë me situatën aktuale politike në vend.

“Mendoj që nëse Partia Demokratike do edhe më tepër me e polarizuar situatën politike që e kemi do të thotë shumë të brishtë në Kosovë, atëherë qëllimin mund ta arrijë, mirëpo ne e dimë që një pjesë e madhe do të thotë ndoshta edhe të gjithë ata çka kanë qenë në Partinë Demokratike më 3 gusht të vitit 2015, besoj që jo të gjithë, disa prej tyre apo në shumicë Partia Demokratike e ka votuar ligjin për Gjykatën Speciale dhe qysh atëherë është dashur të mendohet se çfarë ligji po votojnë. Do të thotë mirëpo tani, pasi që kanë kaluar më tepër se 11 vite, do të thotë është e pamundshme që të ndryshohet apo të ketë çfarëdo lloj ndryshimi të ligjit për Gjykatën Speciale apo pretendimi për ta ndërprerë punën e Gjykatës Speciale”, ka thënë Gashi.

Ai ka shpjeguar edhe procedurën që, sipas tij, do të duhej të ndiqej në rast se do të synohej ndërprerja e punës së Dhomave të Specializuara.

“Sepse janë shumë arsye, po po e them shumë thjesht. Fillimisht ndërprerjen e punës së Gjykatës Speciale e bën faktikisht një trup e veçantë brenda Këshillit të Evropës apo Bashkimit Evropian, kjo nuk është bash mirë e përcaktuar, kur ata vendosin që Gjykata Speciale e ka përmbushur sipas tyre qëllimin për të cilin është krijuar dhe thjesht do të ndërpriten fondet dhe do të jepet një periudhë kohore që puna e Gjykatës Speciale të ndërpritet, respektivisht që sipas tyre është përmbushur qëllimi për çfarë është krijuar Gjykata Speciale”, ka deklaruar ai.

Sipas Gashit, çështje tjetër është marrëveshja me Holandën, si shtet nikoqir i Dhomave të Specializuara.

“Por duhet ta dimë që paraprakisht ne, Gjykata Speciale ka konotacion të një gjykate ndërkombëtare dhe ka konotacion të një marrëveshjeje ndërkombëtare. Pastaj kontrata që është marrëveshja që është e lidhur me Holandën nuk mund të ndërpritet në mënyrë të njëanshme. Do të thotë nëse eventualisht Holanda tenton që ta ndërpresë këtë kontratë, atëherë duhet të formohet faktikisht një arbitrazh ad hoc apo momental që ta vlerësojë ndërprerjen e punës së Gjykatës Speciale, respektivisht shkëputjen e kësaj marrëveshjeje që është mes Kosovës dhe Holandës si shtet mikpritës për Gjykatën Speciale për shkak se në territorin e saj vepron”, ka thënë Gashi.

Gashi ka vlerësuar se projektligji i PDK-së, sipas tij, nuk do të prodhojë efekt juridik, ndërsa e ka cilësuar iniciativën si pjesë të përplasjes politike.

“Mendoj që të gjitha këto na bëjnë në një situatë edhe pse është shumë e rëndë që kjo është një prej pjesëve të luftës politike brenda vetë Parlamentit të Kosovës, brenda Kosovës, brenda partive politike të caktuara që do të japin mendimin e tyre, mirëpo rezultati i kësaj që i këtij projektligji do të jetë le të thejmi pak a shumë zero. Sepse ligji për Gjykatën Speciale definitivisht nuk mund të ndryshohet sado që kjo është e dhimbshme, sado që duket e padrejtë Gjykata Speciale sepse është e padrejtë, mirëpo këta deputetë apo kjo parti do të thotë është dashur të mendojnë se çfarë po votojnë më 3 gusht të vitit 2015 dhe jo në thonjëza gjumi t’ju del dikund pas 11 viteve për shkak të pakënaqësisë së gjithë shqiptarëve, gjithë popullatës, të gjithë shqiptarëve të Kosovës por edhe anë e mbanë Kosovës për aktgjykimin e fundit faktikisht i cili ka ndodhur para disa ditëve në mënyrë drastike, pa të drejtë, me prova të Serbisë janë gjykuar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.

Gashi ka ngritur pyetje edhe për reagimin e PDK-së ndaj rasteve të tjera të gjykuara nga Dhomat e Specializuara.

“Pastaj, për çfarë arsye Partia Demokratike nuk reagon do të thotë për aktgjykimet e tjera që kanë qenë? Për zotëri Pjetër Shala, pastaj për Komandant Calin dhe të tjerët, Nasim Haradinaj, do të thotë dhe të tjerët që janë gjykuar. Do të thotë vetëm tani ata për një arsye prapë po e them puro politike dëshirojnë, kanë të drejtën e tyre të paraqesin projektligje te një parlament i cili sipas tyre, po e përfundoj kështu pyetjen tuaj, i cili sipas tyre nuk është i konstituar në bazë të ligjit, në bazë të Kushtetutës sonë dhe për këtë arsye këtë çështje, konstituimin e Parlamentit të Kosovës e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese”, është shprehur Gashi.

Ai e ka përmbyllur duke vënë në pikëpyetje se cilit Kuvend po i drejtohet PDK-ja me këtë iniciativë.

“Cilit parlament po i drejtohen? Atij që e konsiderojnë funksional apo atij që punën e të cilit e kanë kontestuar, do të thotë dhe ne faktikisht sipas PDK-së jemi në një parlament jo-kushtetues, gjë që sipas meje është totalisht e pavërtetë”, ka shtuar Gashi.

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.Kjo nismë ligjore vjen pas aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, aktgjykim që Partia Demokratike e Kosovës e ka kundërshtuar publikisht dhe e ka cilësuar si të padrejtë dhe të papranueshëm.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i PDK-së, Bedri Hamza në një konferencë për media, i cili tha se projektligji nuk parasheh mbylljen e Dhomave të Specializuara të Hagës.

Ai theksoi se projektligji do të kërkojë që akuzat ndaj katërshes së UÇK-së të jenë të lidhura konkretisht me pretendimet për të cilat është themeluar kjo gjykatë, e jo me “interpretime të pafundme”.