Serbia përballet me një “marsh të rënd diplomatik” për punën e Kosovës, tha të hënën shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq, duke pohuar se Kosova nuk dëshiron të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si Palestina.
Daçiq, i cili pas mandatit të tij si kryetar i parlamentit serb në qeverinë e re u rikthye në postin e ministrit të Punëve të Jashtme, tha se Serbia nga vendet lidere të Perëndimit, në krye me SHBA-në, po merr mesazhe gjithnjë e më të qarta se është koha për zgjidhje të përhershme të problemeve me Kosovën.
“Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, nga 193 anëtarë, Kosova nuk mund të marrë më shumë se 83 vota” pohoi Daçiq në një intervistë për mediumin pro-qeveritare TV Happy.
Ai shtoi se “ka raste të ndryshme”, nga të cilat “katër shtete e kanë njohur, por nuk e votojnë Kosovën”, dhe se “ka edhe vende që ndryshojnë qëndrim çdo gjashtë muaj”.