SBAShK-u lëshon pe: Ta pezullojmë grevën deri në janar, mësimi të fillojë më 3 tetor

Janë bërë 1 muaj e tri ditë që kur ka filluar greva nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura. Që nga ajo ditë, Sindikata e Qeveria, të cilat janë takuar veç dy herë, ende nuk kanë gjetur një kompromis për ta ndalur grevën. Sidoqoftë, duket se ka zhvillime të reja e domethënëse në këtë përplasje.

Duke e parë se Qeveria nuk po lëvizë fare dhe është barrikaduar karshi kërkesave të SBAShK-ut, sindikalistët kanë marrë vendim që të kërkojnë nga çdo anëtar i saj përgjigje, nësë janë për të vazhduar greva apo për ta pezulluar përkohësisht atë.

Kështu tha për gazetën kryetari i Këshillit Grevisë të SBAShK-ut, Reshit Kusha.

Ai tha se anëtarësisë i kanë dhënë kohë dy ditë për t’u përgjigjur dhe për të vendosur për pezullim të grevës deri në janar, e që mësimi të fillojë nga 3 tetori.

“Ne jemi në grevë sikur dje, takimet i kemi ditore. Risi është se anëtarësia do të përgjigjet një për një çka më tutje, a do të vazhdojmë me grevën apo do ta pezullojmë përkohësisht atë. Nga anëtarësia do të presim sot dhe nesër përgjigje e pas kësaj do të dalim me qëndrim. Duke u nisur nga kjo këshilli grevist i SBASHK-ut po kërkon nga anëtarësia mendim për pezullimin e grevës më së largu deri në janar 2023 dhe që grevistët t’i rikthehen mësimit që nga data 3 tetor 2022”, tha Kusha për gazetën.

Deri tek ky vendim për shqyrtim të ndaljes së grevës, Sindikata ka ardhur si pasojë e ofendimeve, moslëvizjes së Qeverisë dhe përqarjes brenda Anëtarësisë.

“Duke e parë që po marrim ofendime nga më të ndryshmet dhe se qeveria nuk po lëvizë, e padyshim që edhe kanë filluar të na përqajnë brenda për brenda, kemi vendosur që t’i mbledhim idetë nga anëtarësia për një pezullim të përkohshëm nese ata vendosin”, shtoi ai

Situata me grevën

Qeveria Kurti s’ka ofertë të re, e rrjedhimisht s’ka ftesa për dialog social, në anën tjetër, SBAShK-u po vazhdon grevën. Që një muaj, ky është peisazhi i grevës. Duke parë një situatë të tillë, SBAShK-u ka filluar komunikimin me anëtarësin e saj për të marrë një qëndrim në lidhje me vazhdimin e grevës.

Kryeministri Kurti ndërkaq, thuajse në secilën paraqitje të tij së fundi ka sulmuar sindikalistët. Një goditje të re, ai ua bëri këtyre të fundit të dielën, kur pati zgjedhjet e brendshme të partisë.

Ai akuzoi se sindikalistët janë të lidhur me partitë opozitare, duke i cilësuar ata se janë sindikalistë të PAN-it që kanë sentiment anti qeveritar.

“Është për të ardhur keq se si shkollimi në Kosovë po mbahet peng. Për përshtypjen time të fuqishme, në të gjitha takimet që kemi pasur, bëhet fjalë për një lloj inati antiqeveritar… prej sindikalistëve të PAN-it, të cilëve iu është ndalur sahati më 5 qershor 2017. Aty u ka ngelur sahati sindikalistëve të PAN-it. E tash dëshirojnë që t’ia bëjnë një shërbim PAN-it në opozitë, duke e bërë grevën armë kundër qeverisë”, tha kryeministri Kurti.

Osmani për grevën: Presidentja merret me politikë të jashtme, por kur të kthehem në Kosovë shohim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani iu ka bërë thirrje edhe njëherë mësimdhënësve që t’i rikthehen procesit mësimor, duke thënë se “shkollat po mbahen peng”.

Megjithatë, thotë se ajo merret me politikë të jashtme, por do të shohë se çfarë mund të bëjë për ngërçin e krijuar në arsim.

Kujtojmë se disa shkolla në qytete e fshatra të ndryshme të vendit, kanë filluar mësimin duke mos e përfillur grevën.

Ndërsa, Kryesia e Këshillit të Prindërve, përmes një letre, ka paralajmëruar krerët e institucioneve; Osmanin, Konjufcën e Kurtin, se nëse situata me grevën nuk zgjidhet deri të shtunën e 1 tetorit, prindërit do të jetë në obliguar që indinjatën e tyre me këtë gjendje ta shprehin përmes protestës.