Deputeti i VV-së: Do të votoj pro tërheqjes së Trustit

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Fatmir Humolli thotë se do të votoj pro për tërheqjen e mjeteve nga TRUST-i.

Humolli tha se shkak i këtij qëndrimi është mos-krijimi i Bankës Shtetërore.

“Tash do të votoj pro trustit për me tërheq. Herën e kaluar kam abstenuar sepse kam pritur që do të bëhet Banka Shtetërore e Kosovës dhe mjetet financiare të Kosovës do të hyjnë përmes Bankës Shtetërore, të cilat do t’i orientojnë kah investimet kapitale. Ajo nuk po bëhet dhe për mua ka qenë shumë brengosje kjo humbja e përmbi 160 milionë eurove jashtë”, ka deklaruar deputeti i VV-së për lajmi.net.

Humolli shtoi se në kushte normale, çdo Qeveri kur është në kohë krize nuk lejon që resurset financiare të dalin jashtë.

“Në kushte normale çdo qeveri resurset financiare në kohë krize nuk i lejon me dal jashtë. Ne jemi prap duke qitë jashtë mjete financiare që do ta dëmtonte ekonominë e vendit tonë. Më duket më korrekte që t’i shfrytëzojnë qytetarët tanë se sa kompanitë ndërkombëtare”, tha ai.

I pyetur nëse ka edhe deputete tjerë nga radhët e LVV-së që do të votojnë pro, Humolli tha se nuk e di, për shkak se i takon deputetëve në mënyrë të pavarur të vendosin.

Tash e sa muaj, kërkesë e opozitës në Kosovë është t’u mundësohet qytetarëve të tërheqin deri në 30 për qind të mjeteve nga Fondi, për të përballuar krizën ekonomike me të cilën po përballet vendi.