Nënkryetarja e PDK’së, Vlora Çitaku i është kundërpërgjigjur deputetes së kësaj partie, Ganimete Musliu e cila pati kritika të ashpra ndaj PDK’së lidhur me mbajtjen e Konventës Programe.
Musliu tha se ‘nuk dëshiron që të marrë pjesë në një Konventë e cila nuk e thotë as edhe një fjalë të vetme kundër padrejtësive që po u bëhen ish-liderëve dhe ish-themeluesve, krenarisë së PDK-së dhe të Kosovës Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit’.
Por, Çitaku tha se ka punuar me Thaçin para se PDK’ja të bëhet parti, dhe për këtë thotë se e ka parë nga afër përpjekjen e tij për të reformuar PDK’në.
“PDK ka me u hapë. Me u reformu, jo me u tjetërsu. Gratë e vajzat e reja që po i bashkohen PDK-së do ta kenë mbështetjen dhe hapsirën që e meritojnë. Nuk ka rrugë tjetër.
Në PDK jam që nga themelimi. Në fakt, me Presidentin Thaçi kam punuar para se PDK të krijohet si parti. E kam parë nga afër përpjekjen e tij të vazhdueshme për ta pasuruar, rilindur, e reformuar PDK-në. Poashtu e di që edhe atëbotë, sikurse edhe sot, ka pasur ndonjë rezistencë”, tha Çitaku.
Po ashtu, Çitaku tha se rrugëtimi i PDK’së nuk do të ndalet.
“Por, rrugëtimi ynë nuk ndalet. E unë, si një grua që ka gëzuar mbështetje e privilegje nga PDK në këto 23 vite, suksesin më nuk e peshoj me pozicionin tim. Sukesin tim e peshoj me mundësitë që do të krijojmë për gratë e vajzat e reja. Nuk kemi me u ndalë. Bashkë. 50|50”, shkroi Çitaku në Facebook.