Timothy Less, bashkëpunëtor i Demostat nga Universiteti i Cambridge dhe ish diplomat britanik, ka deklaruar se do të ketë zhvillime dramatike mes Kosovës dhe Serbisë.
“Në çdo rast, nëse Serbia e kërcënon Kosovën, dhe vëzhguesit e jashtëm nuk e mbështesin Kosovën, është pothuajse e sigurt që Kosova do t’i afrohet Shqipërisë, në mënyrë që të fitojë mbështetje dhe siguri, gjë që do ta bëjë bashkimin edhe më të sigurt. Do të jetë një zhvillim dramatik i situatës, por është logjike që është skenari i vetëm që mbetet, nëse shqiptarët nuk e duan status-quo-në ose formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe Serbia refuzon idenë e integrimit të veriut në pjesën tjetër të Kosovës”, tha Less.
E lidhur me këto paralajmërime nga Timothy Less, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.
Profesor, doktor Enver Bytyçi.
“Timothy Less, një diplomat britanik i njohur dhe njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkan, ka dhënë parashikime jo të këndshme për të ardhmen e Kosovës në raportet e saj me Serbinë. Në një deklarim të tij ai i lidh zhvillimet në Kosovë me ato të Bosnjë-Hercegovinës dhe përpjekjet e liderit të Republikës Srpska për shkëputjen e saj nga shteti boshnjak dhe rrënimin e Dayton-it. Dramën boshnjake ai e konsideron si një fenomen që zhvillohet paralelisht me dramën e Kosovës. Unë do të thoja se nuk është e njëjta gjë”, thotë Bytyçi.
Sipas tij, edhe nëse Republika Srpska do të shkëputej, ajo maksimumi do të shpallte pavarësinë.
“Kjo republikë nuk mund të bashkohet me Serbinë, ashtu si Kosova nuk mund të bshkohet me Shqipërinë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit. Sipas të drejtës ndërkombëtare, nëse një rajon, një eintitet, shkëputet nga sovraniteti i shtetit të cilit i përket, ky entitet, ky rajon nuk mund të bashkohet me një shtet tejtër pa marrë dakordësinë e shtetit prej ku shkëputet. Kosova nuk mund të bashkohet me Shqipërinë pa dakordësinë e Serbisë, prej së cilës është shkëputur. Ndërsa Republika Srpska nuk mund të bashkohet me Serbinë pa miratimin e shtetit boshnjak, të cilit i përket. Por a mund të shpallë pavarësinë. Ashtu si Kosova, edhe Republika Srpska mund ta shpallë pavarësinë”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”, duke shtuar se është çeshtje tjetër nëse bashkësia ndërkombëtare do ta njohë ose jo këtë pavarësi.
“Por nëse Republika Srpska shpallë pavarësinë dhe Serbia e njeh atë në kufijtë e kësaj republike, atëherë automatikisht Serbia do të duhej të njihte edhe pavarësinë e Kosovës në kufijtë ekzistues. Askush nuk do të miratonte një qëndrim të dyzuar të Serbisë. Dhe kjo është arsyeja pse Beogradi lufton që ta ndajë Kosovën para se Republika Srpska të shpallë pavarësinë e saj nga shteti i Bosnjë-Hercegovinës. Në këtë proces Kosova do të kishte përparësi faktin se njohet nga shumica e vendeve të BE-së dhe NATO-s, ndërkohë që Republika Srpska nuk do të kishte këtë fat”, shpjegon më tej Bytyçi.
“Por nisur nga intensifikimi i përpjekjeve serbe për ndarjen e Kosovës me dhunë, të cilën nuk e përjashton as zoti Less, dëshmon se Serbisë po i ngutet koha. Dodik mesa duket ka vendosur të mos presë gjatë derisa Beogradi të realizojë aneksimin e veriut të Kosovës”, shton profesor Bytyçi.
Madje Bytyçi tregon edhe një skenar të rrezikshëm për Kosovën.
“Diplomati britanik flet edhe për një status të veçantë të serbëve që jetojnë në brendësi të Kosovës dhe këta përbajnë mbi 70 për qind të numrit të serbëve në Kosovë. Ndërkhë që këtë status thotë se shqiptarët mund ta kushtëzojnë me të njëjtën gjë me shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ky është një skenar i rrezikshëm. Unë dua të përmend faktin se ndërhyrja me dhunë për aneksimin e veriut të Kosovës nuk do të jetë ogur i mirë për serbët që jetojnë në brendësi të saj. Dhuna gjithmonë shkakton dhunë. Nëse Aleksandër Vuçiq mundtë jetë i aftë të pushtojë komunat e veriut të Kosovës dhe nëse shqiptarët nuk do të jenë të zotët të rezistojnë për ta mbrojtur territorin e tyre, atëherë gjithë zemrërimi do të shfryhet te serbët në jug të Ibrit. Dhunës do i përgjigjen me dhunë. Çka do të thotë se serbët në brendësi të vendit do të duhet të bëjnë llogari. Nëse duan shtet njëetnik, atëherë edhe Kosova do të bëhet njëetnike. Nuk mundet që shteti i Serbisë të zbatojë parimin e “botës serbe” dhe shqiptarët të vazhdojnë të imponohen nga serbët që do të duhetj të jetonin në Kosovë”, nënvizon Bytyçi.
Më tej, profesor Bytyçi kundërshton ish diplomatin Less.
“Por më bën përshtypje se zoti Less flet sikur në Kosovë nuk ka e nuk do të ketë qeveri e institucione, sikur Kosova nuk është e aftë të reagojë e të mbrohet, sikur serbët në Kosovë kanë të drejta të pakufizuara mbi shumicën shqiptare etj. Pra, ai më duket se deklarohet sikur në Ballkan ka vetëm Vuçiqë dhe asnjë shqiptar! Besoj se çdo analist duhet të llogarisë raportet dhe faktorët e brendshëm, së paku po aq sa edhe ata të jashtëm. Nëse shqiptarët e pranojnë versionin e diplomatit britanik, do të thotë se ai ka të drejtë, por nëse nuk e pranojnë, atëherë rezultati përfundimtar i parashikuar prej tij duhet të llogaritet pak më ndryshe. Kosova është e shqiptarëve, si dhe e minoriteteve, përfshirë dhe serbët”, thotë Bytyçi.
“Nëse minoriteti serb në Kosovë, sidomos ai në veri bëhet vegël e presidentit të Serbisë për ta destabilizuar vendin, atëherë shqiptarët në Luginën e Preshevës kanë detyrë ta destabilizojnë Serbinë. Po ashtu shqiptarët në Maqedoni ta destabilizojnë Maqedoninë e Veriut dhe shqiptarët në Mal të Zi ta destabilizojnë Malin e Zi. Edi Rama le të zgjedhë më pas kë do të mbështesë, shqiptarët, aposerbët kundër shqiptarëve!”, përfundon për “Bota sot” profesor, doktor Enver Bytyçi.