Në mesin e makinerive të rënda, me të cilat serbët në veri të Kosovës ngritën barrikada dhe bllokuan pothuajse të gjitha rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, sipas hulumtimit të Radios Evropa e Lirë, kishte edhe automjete pothuajse identike me ato që përdoren nga shërbimet komunale serbe në komunat në veri të Kosovës.
Këto shërbime, si Ndërmarrja Publike “Standard” nga Mitrovica Veriore, janë nën kontrollin e Listës Serbe, partisë udhëheqëse të serbëve në Kosovë që është e afërt me Partinë Progresive Serbe (SNS) të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Me datat 31 korrik dhe 1 gusht, kamerat e Radios Evropa e Lirë kanë regjistruar edhe praninë e punonjësve të kompanisë “Standard”, të cilët ishin me uniforma pune në barrikada.
Drejtor i kësaj kompanie është Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, i cili është edhe ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës të kryeministrit Albin Kurti.
Radio Evropa e Lirë është përpjekur të kontaktojë me Rakiqin, por ai nuk është përgjigjur. REL i është drejtuar edhe Aleksandar Trajkoviqit, të cilin mediat vendore e prezantojnë si “udhëheqës” i ndërmarrjes “Standard”. Pyetjes se çfarë po bënin punëtorët dhe kamionët e asaj kompanie në barrikada, Trajkoviq i është përgjigjur se: “Duhet t’ia bëni drejtorit të kompanisë atë pyetje, unë vërtet nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje për ju”.
Ai ka thënë se është “vetëm menaxher i sektorit ekonomik”.
Në faqen zyrtare të ndërmarrjes “Standard” thuhet se kjo kompani është e ngarkuar “për kryerjen e veprimtarive komunale në territorin e komunës së Mitrovicës”.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë edhe me Aleksandar Spiriqin, kryetar i komunës paralele serbe në Mitrovicën e Veriut, lidhur me praninë e kamionëve të shërbimeve komunale serbe në barrikada, por ai nuk është përgjigjur.
Përveç komunave paralele të Serbisë në Kosovë, të cilat nga autoritetet e Kosovës konsiderohen institucione ilegale, ka edhe komuna me shumicë serbe që punojnë sipas ligjeve të Kosovës, por në të cilat në pozita udhëheqëse janë po ashtu zyrtarët e Listës Serbe.
Për shembull, Zoran Todiq është kryetar i Komunës së Leposaviqit që funksionon sipas sistemit të Kosovës, por ai drejton edhe komunën paralele serbe.
Shoferë të maskuar dhe kamionë pa targa në barrikada
Shumë nga kamionët në barrikada ishin pa shenja, disa edhe pa targa.
Megjithatë, një kamion cisternë që mund të shihet në pamje, ka pasur targat e Beogradit. Anash duket edhe një shirit i verdhë.