Deputetja e VV-së: Po flasim për viza, por po harrojmë që jemi shumë afër

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu, ka folur për çështjen e liberalizimit të vizave në foltoren e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se ky proces është shumë afër.

Prandaj, ajo tha se u thirr debat parlamentar për këtë temë, por se duhet përmendur që heqja e vizave është shumë afër.

“Duke thirrur një debat parlamentar për të folur për mosliberalizim të vizave, po harrojmë ta përmendim një fakt: Kurrë Kosova s’ka qenë më afër heqjes së vizave sesa që jemi sot, kurrë s’është punuar më shumë. Asnjëherë tjetër nuk janë shënuar rezultate pozitive për vite të tëra sa janë shënuar përgjatë kësaj qeverisje një vit e pak muaj. S’duam ta mashtrojmë popullin, s’kemi dhënë muaj e data, por po punojmë fuqishëm, ekzekutiv e legjislativ, që ky proces një herë e mirë të marrë epilog. Këtu ju bëj thirrje që të bashkohemi sepse do të përfitojmë njëjtë, si pozita si opozita. Rruga jonë drejt BE-së është një angazhim i kahershëm me delegimin e të gjitha forcave politike pa dallim dhe me ambicien e qartë që të integrohemi në bashkësinë e popujve të qytetëruar europianë”, ka thënë ajo.
Deputetja e pozitës iu bëri thirrje të gjitha partive që në rrugën drejt BE-së të jenë të bashkuar dhe tha se duhet të ruhet fryma e mirë dhe bashkëpunuese në këtë proces të rëndësishëm për vendin tonë./Gazeta Express/