LAJMI I FUNDIT | Përplasje në LDK

Zhvillimet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë marrë një kthesë të re, pasi është shfaqur një mospërputhje lidhur me numrin e nënshkrimeve të dorëzuara për thirrjen e Kuvendit të ri zgjedhor të partisë.

 

Përplasje shifrash në LDK: Abdixhiku flet për 148 nënshkrime, Zemaj thotë se janë 151

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmes një video-adresimi bëri të ditur se në parti janë deponuar 148 nënshkrime, me të cilat kërkohet mbajtja e Kuvendit zgjedhor dhe shkarkimi i tij nga posti i kryetarit.

Megjithatë, deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj, ka paraqitur një shifër tjetër.

Në një deklaratë të shkurtër për Gazetën Express, Zemaj tha se numri i nënshkrimeve të dorëzuara është 151.

“151 nënshkrime janë,” u shpreh shkurt Zemaj.

Nga ana tjetër, Abdixhiku theksoi se organet e partisë fillimisht do të përfundojnë procesin e verifikimit të nënshkrimeve dhe vetëm më pas do të ndërmerren hapat e nevojshëm për organizimin e Kuvendit.

Ai u shpreh se nuk e kishte dëshiruar një situatë të tillë, duke paralajmëruar se ky proces mund të ketë pasoja për partinë.

“Nuk e kam dashur një situatë të tillë. Ky proces mund ta dëmtojë LDK-në,” deklaroi Abdixhiku.

Pritet që komisioni i ngarkuar nga LDK-ja të verifikojë vlefshmërinë e nënshkrimeve dhe të sqarojë numrin përfundimtar, pas së cilës do të vendoset për hapat e mëtejshëm lidhur me mbajtjen e Kuvendit zgjedhor.

Zhvillimet e fundit kanë intensifikuar debatet brenda LDK-së, ndërsa mbetet të shihet se si do të përfundojë procesi që mund të çojë në zgjedhje të reja për drejtimin e partisë.