Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati falenderoi qytetarët në komuna të ndryshme të Kosovës që iu përgjigjën thirrjes së tyre për t’iu bashkuar protestës në kundërshtim të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Gucati u bëri thirrje shqiptarëve nga të gjitha trojet që me 1 tetor t’i bashkohen protestës së 1 tetorit në Prishtinë, transmeton klankosova.tv.
“I përgëzoj qytetarët që i janë përgjigjur thirrjes, kanë obligim moral dhe qytetar për mbrojtje të njerëzve tonë që po mbahen padrejtësisht. Thirrja jonë ishte që të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi, Preshevë, Medvegjë, kuptohet edhe të Kosovës që me 1 tetor të dalim në sheshin “Skendërbeu” të protestojmë, t’i tregojmë botës që ne dimë edhe të luftojmë, ta mbrojmë interesin kombëtar dhe të protestojmë në mënyrën paqësore ndaj një padrejtësie që na u është bërë”, tha Gucati.
Tutje, ai ripërsëriti kërkesat e organizatës që ai përfaqëson duke i bërë thirrje Kurtit që ‘ta korrigjojë qeverinë dhe t’i shoh njerëzit që i ka rreth vetes’.
“Kërkesat tona janë, ato qëndrojmë, janë kërkesa legjitime, nuk i bën nder qeverisë të ketë njerëz të cilët kanë thënë shko Hashim,, kanë dërguar dokumentacione. Është e pandershme që ata njerëz të jenë në qeveri, i bëj thirrje edhe njëherë Albin Kurtit ta korrigjojë qeverinë dhe t’i shoh njerëz që i ka rreth vetes”, tha Gucati.