E dhimbshme! Vdes në aksident mësuesi i shkollës fillore

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti tragjik që ndodhi në aksin rrugor Cërrik–Mollas, ku humbën jetën dy persona, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur.

Viktimat janë Qemal Çala, 63 vjeç, dhe Drilon Tabaku, 22 vjeç. Sipas raportimeve në media, Drilon Tabaku dyshohet të ketë qenë djali i vetëm i familjes.

Sipas të dhënave paraprake, aksidenti ndodhi pas një përplasjeje të fortë mes një automjeti “Smart” dhe një “Mercedes-Benz”. Në automjetin tip “Smart” ndodheshin dy viktimat, ndërsa mjeti drejtohej nga Qemal Çala.

Mediat raportojnë se Qemal Çala ishte mësues në shkollën “Osman Gjini” në Mollas. Pas lajmit për vdekjen e tij, shkolla ka reaguar me një mesazh prekës në rrjetet sociale.

“Me dhimbje të thellë mësojmë lajmin e trishtë për ndarjen tragjike nga jeta të kolegut tonë të nderuar, Mësues Qemal Çala. Lajmi i ikjes së tij na ka tronditur dhe na ka lënë pa fjalë. Një mësues i përkushtuar, një koleg i dashur dhe një njeri i mirë, do të mbetet gjithmonë në kujtesën dhe zemrat tona. Ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve dhe të gjithë atyre që e deshën dhe e respektuan. U prehtë në paqe shpirti i tij!”, thuhet në reagimin e shkollës.

Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, Sajmir Muça, 38 vjeç, ka mbetur i plagosur dhe po trajtohet në spital.

Sipas raportimeve paraprake të mediave, dyshohet se aksidenti mund të ketë ndodhur pasi një qen i doli përpara automjetit tip “Smart”. Drejtuesi i tij tentoi ta shmangte, ndërsa më pas dyshohet se automjeti “Mercedes-Benz”, që lëvizte pas tij, u përplas me shpejtësi.

Si pasojë e goditjes së fortë, automjeti “Smart” doli nga rruga dhe përfundoi në një tokë bujqësore, ndërsa “Mercedes-Benz” përfundoi në një kanal anësor, duke dëmtuar barrierën mbrojtëse dhe murin rrethues të një banese.

Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit bëri të ditur:

“Në aksin rrugor ‘Mollas–Gostimë’, janë përfshirë në një aksident rrugor automjeti me drejtues shtetasin S. M., 38 vjeç, dhe automjeti me drejtues shtetasin Q. Ç., rreth 63 vjeç. Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën drejtuesi i automjetit, shtetasi Q. Ç., si dhe pasagjeri në automjetin e tij, shtetasi D. T., rreth 22 vjeç. Gjithashtu, është dëmtuar drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi S. M., i cili është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.”

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidenti tragjik.

Ngjarja ka shkaktuar dhimbje të madhe në komunitetin e Mollasit, ku Qemal Çala njihej si një mësues i respektuar, ndërsa humbja e dy jetëve ka tronditur familjarët, miqtë dhe banorët e zonës.