Qeveria e Kurtit vjen me nje lajm te madh, ndan 2 milion euro

Vendimi vjen pas vonesave në ekzekutimin e pagave për punonjësit dhe paralajmërimeve të sindikatave për protesta.

Qeveria në detyrë ka ndarë më shumë se 2.2 milionë euro për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), pas paralajmërimeve për protesta për shkak të vonesave në ekzekutimin e pagave për punonjësit.

“Qeveria në detyrë ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar kërkesën për alokimin e ndarjeve buxhetore në shumën prej 2,240,000 eurosh (dy milionë e dyqind e dyzet mijë euro) për Radio Televizionin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Gjatë kësaj mbledhjeje, ekzekutivi ka miratuar edhe kërkesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve në shumën prej mbi 48 mijë eurosh, të transferuara në buxhetin e vendit për ndërmarrjen shoqërore NSH “Magjistrala”.

Punonjësit e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) janë përballur disa herë me vonesa në ekzekutimin e pagave, duke ngritur shqetësime për gjendjen financiare dhe mënyrën e menaxhimit të transmetuesit publik.

Sindikatat e RTK-së kanë kritikuar vazhdimisht Bordin dhe menaxhmentin e këtij institucioni, duke i akuzuar për mungesë të përgjegjësisë dhe dështim në sigurimin e funksionimit normal të televizionit publik.

Sipas tyre, përsëritja e krizave financiare dhe vonesat në paga kanë ndikuar drejtpërdrejt te punonjësit dhe kanë cenuar stabilitetin e institucionit. Në disa raste, punëtorët e RTK-së kanë organizuar protesta, duke kërkuar zgjidhje për problemet financiare dhe respektimin e të drejtave të tyre.

Sindikatat kanë kërkuar që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë për të garantuar një funksionim të qëndrueshëm të transmetuesit publik.