Mesazh i fortë nga Ambasada Amerikane për Kurtin

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka bërë thirrje që Kosova të diversifikojë furnizimin me energji elektrike përmes gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga Shtetet e Bashkuara.

 

Deklarata e saj është publikuar nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë pas pjesëmarrjes së Prattipatit në ceremoninë e ndarjes së Çmimit të Partneritetit SHBA–Kosovë, ku u vlerësuan anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Kosovë për kontributin e tyre në forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

 

Sipas njoftimit të Ambasadës, Prattipati përshëndeti vendimin e Kosovës për eliminimin e tarifave doganore ndaj mallrave amerikane, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve tregtare.

Po ashtu, ajo theksoi rëndësinë e diversifikimit të burimeve të energjisë, duke mbështetur përdorimin e gazit natyror të lëngshëm nga SHBA-ja.

“E ngarkuara me punë Anu Prattipati mori pjesë në pritjen e Çmimit të Partneritetit SHBA-Kosovë, duke vlerësuar anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Kosovë për forcimin e tregtisë SHBA-Kosovë. Në fjalën e saj, ajo përshëndeti vendimin e Kosovës për të eliminuar tarifat doganore për mallrat amerikane dhe mbështeti që Kosova të diversifikojë furnizimin e saj me energji me gaz natyror të lëngshëm amerikan për të siguruar investime të ardhshme amerikane,” thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së.

Sipas zyrtares amerikane, një furnizim më i larmishëm me energji do të rriste sigurinë energjetike të Kosovës dhe do të krijonte kushte më të favorshme për investime të reja amerikane në vend.

Deklarata e Prattipatit vjen në një kohë kur çështja e diversifikimit të burimeve të energjisë dhe bashkëpunimit me partnerët strategjikë vazhdon të jetë një nga temat kryesore në diskutimet për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë energjetike të Kosovës.