“Për tokë…”- Detaje të reja nga tragjedia ku vëllai vrau vëllin e tij

Krim në familje në Kavajë, 76-vjeçari dyshohet se vrau vëllain pas një konflikti

 

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së mërkurës fshatin Agonas në Kavajë, ku një konflikt mes dy vëllezërve ka përfunduar në mënyrë tragjike.

Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 20:30, dy vëllezërit ndodheshin në një arë duke mbledhur bazën ushqimore për blegtorinë, kur mes tyre dyshohet se ka lindur një konflikt. Gjatë përplasjes, 76-vjeçari Muhamet Rreshka dyshohet se ka goditur me thikë vëllain e tij, Eqerem Rreshka, 74 vjeç.

 

I plagosuri është transportuar menjëherë drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore, por fatkeqësisht nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë gjatë rrugës.

Pas ngjarjes, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë me shpejtësi, duke bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e autorit të dyshuar në komisariat për veprimet procedurale.

Ndërkohë, grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet që çuan në këtë krim të rëndë brenda familjes.

Autoritetet pritet të japin detaje të tjera pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.