Kandidati i PDK-së për deputet, Enver Hoxhaj, ka thënë se nuk e përjashton mundësinë që pas zgjedhjeve kryeministri në detyrë Albin Kurti ta përmbysë rendin kushtetues në Kosovë.
Ai ka thënë se jo larg Kosovës ka parë vende që e kanë ndryshuar sistemin politik në mënyrë aq të shpejtë, pasi sipas tij, sistemet politike nuk janë të garantuara dhe se ato mund të ndryshojnë.
“Unë nuk e përjashtoj mundësinë që pas zgjedhjeve, për dy ose tri ditë e ke një situatë ku nuk ke gjykatës farë në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo mund të jetë vet qëllim i zotëri Kurtit dhe ai propozon një Kushtetutë të re, për ta përmbysur rendin kushtetues, zotëri Kurti nuk i ka besuar kurrë kësaj Kushtetute, kurrë si ka besuar Pakos së Ahtisarit, kurrë s’i ka njohur këto institucione në mënyrë të mirëfilltë dhe rundi i parë i zgjedhjes së presidentit atë natë në Kuvendin e Kosovës ka qenë vetëm testi i parë se si mund të duket situata pas 7 qershorit”, është shprehur Hoxhaj në emisionin “Konfront” në KTV.
“7 qershori është datë që ose me vullnetin e qytetarëve e garanton sistemin tonë politik dhe këto institucione që i kemi me shumë mund, ose ne përfudnojmë në diçka tjetër”, ka shtuar ai.
I pyetur nëse do të bisedojnë për të arritur ndonjë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit më Lëvizjen Vetëvendosje, ai ka thënë se PDK-ja është për dialog, por jo për nënshtrim.