Musliu: Kurti synoi arrestimin për t’u thënë militantëve “e lidha Sami Lushtakun”

Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu ka qenë e ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me ngjarjet në Skenderaj, pas vendosjes së forcave policore atje.

 

Në “Rubikon” të Klan Kosovës, Musliu ka thënë se pozicionimi i njësive speciale atë natë në disa pika të qytetit është skenar i Kurtit për të treguar forcën ndaj Skenderajt dhe Sami Lushtakut.

Ajo ka thënë se qëllimi i Kurtit ka qenë që ta nxjerrë të lidhur Lushtakun, për ta paraqitur atë më pastaj si fitore para përkrahësve të tij.

“Qëllimi i Kurtit atë ditë ka qenë me nxjerr të lidhur Sami Lushtakun në mënyrë të jashtëligjshme, me bërë spektakël, me nxjerr para mediave dhe me ua gjujt militantave të tij përpara me gjuhën që ‘ja unë e lidha Sami Lushtakun”, ka thënë Musliu.

 

Ajo ka thënë se nuk ka asnjë shpjegim tjetër numri i madh i forcave policore në Skenderaj, përderisa sipas saj, sqarime për këtë prani ende nuk ka dhënë shteti i Kosovës.

“Përderisa shteti i Kosovës nuk e ka sqaru prezencën e forcave policore atë natë në 1 të natës, me armë të gjata e me maska. Kanë qenë në 10 pika të pozicionuar. Edhe pika me Vushtrrinë atë natë ka qenë e bllokuar me forca policore”, ka shtuar Musliu.