Tubimi i shumëpërfolur i LDK-së, i quajtur “Salla e Bashkimit”, duket se nuk arriti pritshmëritë që vetë kjo parti kishte krijuar ditëve të fundit.
Pavarësisht mobilizimit të madh në rrjete sociale dhe paralajmërimeve për një “bashkim historik” mes LDK-së dhe Vjosa Osmanit, pamjet që po qarkullojnë kanë nxitur reagime të shumta nga qytetarët, të cilët po komentojnë se salla nuk arriti të mbushej ashtu siç pritej, shkruan Gazeta Minuti.
Ky zhvillim vjen në një moment delikat për LDK-në, e cila tashmë po përballet me tensione të brendshme dhe pakënaqësi nga figura të rëndësishme të partisë lidhur me afrimin me Vjosa Osmanin. Ditëve të fundit është raportuar edhe për mungesa të figurave kyçe në mbledhjet e partisë, përfshirë Avdullah Hotin dhe Hykmete Bajramin.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka konfirmuar zyrtarisht se partia ka arritur dakordim për garim të përbashkët me Vjosa Osmani në zgjedhjet e 7 qershorit.
Megjithatë, reagimet në rrjete sociale kanë qenë të ashpra, ku shumë qytetarë po e interpretojnë pjesëmarrjen jo të madhe si një sinjal se elektorati tradicional i LDK-së nuk është bindur ende me këtë “bashkim”. Disa komentues madje po thonë se qytetarët po vazhdojnë ta “ndëshkojnë” LDK-në për vendimet dhe lëvizjet politike të viteve të fundit.
A ishte ky një paralajmërim se entuziazmi për “bashkimin” nuk është aq i madh sa po prezantohet? Apo LDK-ja po hyn në zgjedhje me më shumë pakënaqësi sesa mbështetje? Këto pyetje tashmë kanë nisur të shtrohen gjithnjë e më shumë në opinion.