Nga Frashër Oseku
Si e shoh unë këtë situatë – turpi i opozitës
Herën e parë kur qytetarët e dhanë votën në mars 2025, mendimi ishte që pas katër viteve në opozitë, ata kishin mësuar diçka nga viti 2021 dhe ishin të gatshëm për bashkëpunim.
Qytetarët e Kosovës këtë herë votuan që fitues të jetë Lëvizja Vetëvendosje, por edhe që të gjendet një gjuhë e përbashkët me opozitën për të funksionuar institucionet.
Por dështimi filloi që në start. Opozita nuk pranoi të votojë as diçka pothuajse formale – betimin e deputetëve.
Ata menduan se populli ishte lodhur me Kurtin. Katër vite propagandë anti-qeveri nga shumë media, analistë dhe pseudo-portale u interpretuan prej tyre si një sinjal se populli nuk e donte më. Dhe kështu filloi kundërshtimi për çdo vendim e çdo hap të qeverisë, me shpresë që “topin e nxehtë” t’ia linin Kurtit.
Ajo që populli ua dha si shans opozitës – me shpresën se ishte përmirësuar – ata e kthyen në bllokada për gjithçka. Edhe aty ku nuk kishte fare nevojë.
Në fund, e rrëzuan Qeverinë Kurti.
Shpresa e tyre ishte që, pasi Lëvizja kishte rreth 42% dhe me gjithë zhurmën politike nga marsi deri në dhjetor, rezultati do të binte 5–8%. Me këtë llogari mendonin të bashkoheshin me Listën Serbe dhe të tjerët për ta marrë pushtetin. Me shpresën se populli “ha bar”.
Por populli nuk gënjehet. Kur erdhën zgjedhjet, rezultati jo vetëm që nuk ra, por u rrit deri në rreth 51%.
Kështu qeveria u formua shpejt, sepse nuk kishte më deputetë që mund të bënin bojkot.
Atëherë mbeti një mundësi tjetër për bllokadë: Presidenti. Sepse këtu kërkohet vetëm një gjë – të jesh në sallë.
Këtu opozita nuhati egoizmin e Vjosës: “ose unë, ose askush”. Dhe filloi sërish bllokada, me shpresë që të shpërbëhej kuvendi.
Mendoni pak: me rreth 51% të votave që qytetarët ia dhanë Albin Kurtit, këta prapë flasin në emër të popullit për “të mirën e popullit”. Thuajse populli është gomar dhe nuk di të vendosë vetë.
Shpresoj që interpretuesit e kushtetutës të gjejnë një zgjidhje, sepse është shumë e rrezikshme që një përqindje e vogël deputetësh të mund ta bllokojë shtetin. Nëse kjo bëhet praktikë, çdo disa muaj Kosova mund të ketë zgjedhje.
Duket sikur mesazhi i opozitës është:
“Merre edhe 70% të votave, Albin, sepse ne nuk bashkëpunojmë as mes vete. Por Kosovën e çojmë në zgjedhje çdo gjashtë muaj, nuk kemi problem.”
Ndërkohë që shtohen nënat lehona, rriten shtesat për fëmijë, rritet paga minimale dhe pensionet e të moshuarve, opozita vazhdon të jetojë në luks – Dubai, pushime luksoze, pasuri aq e madhe sa tri gjenerata mund të jetojnë pa punuar. Për ta, këto përmirësime nuk vlejnë gjë. Turpi i opozitës nuk është vetëm bllokimi; është indiferenca e plotë ndaj jetës reale të qytetarëve. Për ta, populli nuk është qytetar, por vetëm një audiencë për të mashtruar. Dhe ky është kulmi i arrogancës: ata bllokojnë progresin, por jetojnë si në film. Trishtim, qesharake dhe e turpshme njëkohësisht – ky është realiteti i opozitës.