Historiani serb “shokon” sllavët: Maqedonasit janë serbë të shpikur nga Tito, ndërsa grekët flasin serbisht.

Historiani serb Zheljko Utvar, në një deklaratë të tij të fundit, ka paraqitur pretendime lidhur me emrin e shtetit maqedonas, origjinën e popullit maqedonas, si dhe etimologjinë e disa toponimeve në Greqinë e sotme.

 

Në deklaratën e tij, Utvar komentoi emrin aktual të shtetit, Maqedonia e Veriut, duke e cilësuar si “edhe më qesharak se emri i mëparshëm Republika e Maqedonisë”, duke theksuar ndarjen mes Maqedonisë Jugore dhe asaj Veriore. Sa i përket identitetit, ai pretendon se populli maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Sipas tij, Tito “ringjalli dhe krijoi një popull nga serbët ortodoksë me atë dialekt”.

Utvar më tej u ndal te ngjarjet historike të shekullit XX në territorin e veriut të sotëm të Greqisë (që ai e quan Maqedonia Jugore), duke deklaruar se betejat më të ashpra në ato troje i kanë zhvilluar serbët dhe jo grekët.

 

Gjithashtu, ai pretendon se disa toponime në Greqi kanë origjinë ekskluzivisht serbe, duke shtuar se vetë grekët nuk mund t’i përkthejnë emrat e tyre. Si shembuj ai përmend portin Igumenica, që sipas tij rrjedh nga fjala serbe “igumenija”, si dhe qytetin Kozani, të cilin e lidh me rritjen e dhive. Për vendbanimin Grebena, ai pretendon se vjen nga fjala serbe për krehër, duke theksuar se vetëm serbët e kanë atë fjalë në gjuhën dhe dialektin e tyre.

 

Në fund të deklaratës së tij, Zheljko Utvar foli edhe për prova historike të fshehura. Ai pretendon se ekzistojnë shkrime të vjetra në pergamena, të cilat janë marrë gjatë shekullit XIX dhe që sot ruhen në arkivat e Dubrovnikut, Vatikanit, Moskës dhe Shën Petersburgut.