Kreu i Gjakovës skeptik për zgjidhje para afatit kushtetues, thotë se pushteti po përgatit terrenin për zgjedhje të reja.
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka shprehur pesimizëm për përpjekjet e ditëve të fundit për të zgjidhur çështjen e Presidentes, duke vlerësuar se “çarja” mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani “tashmë ka ndodhur”.
Me më pak se tetë ditë nga skadimi i afatit kushtetues, Gjini u shpreh skeptik se Kosova do ta ketë Presidentin e ri brenda këtij afati. Në një intervistë në emisionin “Context” në ATV, ai tha se mënyra se si Lëvizja Vetëvendosje po e menaxhon këtë proces nuk pasqyron vullnet të sinqertë për zgjidhje, por një strategji elektorale të llogaritur.
“Te çështja e Presidentit situata është goxha interesante. Mund të them që ka shumë cinizëm. Është seriozisht cinike me i fitu 51 për qind të votave, me shku në Parlament dhe me thënë ‘unë s’kam kandidat për President – gjejeni kandidatin nëse doni ju’”, tha ai.
Sipas Gjinit, takimet e Kurtit me Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk po zhvillohen për të arritur kompromis real, por si manovra politike për ta ngarkuar opozitën me përgjegjësi në rast dështimi.
Ai vlerësoi se pushteti po llogarit skenarin e zgjedhjeve të reja, duke tentuar të shmangë fajin për një krizë të mundshme institucionale. “Prapë, në mënyrën më cinike, po provohet ose me u shantazhu opozita që ‘keni me bë çfarë t’ju them unë’, ose me provu edhe njëherë me arritë në situatën që nëse shkojmë në zgjedhje, me u projektu faji te tjerët. Pra, [Albin Kurti] mos me marrë fajin. I kam dilemat e mia për një marrëveshje potenciale dhe përgatitje për t’ua lënë fajin tjerëve”, deklaroi ai.
Gjini shtoi se rikandidatura e Osmanit është “skenar i vdekur politikisht”, duke theksuar se gjasat që Kurti ta propozojë sërish atë për presidente janë minimale. “Çarja ka ndodh për shkak se çdokush ndihet i fyer në këto rrethana. Nëse Albin Kurti del në konferencë për shtyp dhe thotë se ne nuk kemi kandidat për President, normalisht që Vjosa Osmani ndihet e fyer deri diku për shkak se nisjen e kanë pasur bashkë dhe shumicën e parë e kanë kriju bashkë”, tha ai.
Ai komentoi edhe qëndrimin e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke theksuar se lideri i saj, Ramush Haradinaj, ka treguar gatishmëri konstruktive gjatë gjithë procesit.
“Ne si Aleancë e kemi ofruar veten në këtë proces, kryetari Haradinaj e ka ofru veten si President, pavarësisht rrethanave. I ka ofru opozitës edhe ndonjë kandidaturë tjetër. Ajo që ka thënë Ramushi është kështu: Unë dal kandidat, por nëse ju e keni një kandidat tjetër, i keni votat e Aleancës, i keni nënshkrimet e Aleancës. Po e nxjerrim një kandidat të opozitës. Po duket që është zor me ndodh edhe kjo punë”, përfundoi Gjini.