Lushaku-Sadriu tregon pse LDK nuk mori pjesë në votimin për Rezolutën për krerët e UÇK-së

Shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, pas mbylljes së punimeve të seancës parlamentare ka sqaruar se pse nuk morën pjesë në votimin për Rezolutën për Gjykatën Speciale dhe procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

 

Lushaku-Sadriu tha se LDK nuk ishte e njoftuar me përmbajtjen e kësaj Rezolute dhe për atë arsye propozuan një amandament shtesë.

“Ne e kemi mbajtur një mbledhje të Kryesisë që jemi dakordu për rendin e ditës dhe ne nuk kemi qenë të njoftuar për përmbajtjen e Rezolutës. Ne kemi kërkuar tekstin. Kemi ardhur në seancë duke mos qenë në grupin konsultativ. Kemi propozuar një amandamentim të Rezolutës”- tha ajo.

Lushaku-Sadriu theksoi se nuk morën pjesë në votim meqenëse ky amandament nuk u hodh në votim.

“Meqenëse kryetarja e Kuvendit të Kosovës nuk e vuri në votim amandamentin tonë, ne jemi rezervuar nga votimi”- tha ajo.

Jehona Lushaku-Sadriu nga LDK kërkoi që në Rezolutën për Gjykatën Speciale dhe gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së të shtohet ky paragraf – “Kjo rezolutë kërkon nga të gjitha institucionet e rendit dhe ligjit të Republikës së Kosovës si dhe inkurajon mbështetjen ndërkombëtare për intensifikimin e përpjekjeve drejt zbardhjes së plotë të të gjitha rasteve të pazbuluara të ndodhura gjatë dhe pas periudhës së luftës në Kosovës, me qëllim që të sigurohet drejtësia për të gjitha viktimat, të zbardhet e vërteta dhe të fuqizohet shteti i së drejtës mbi parimet e paanësisë dhe barazisë para ligjit”.

Por ky amandament nuk u hodh në votim.