Nëna e Shpat Kasapit flet mes dhimbjes për humbjen e të birit: Nuk kam fjalë, ishte gjysma ime

Nëna e këngëtarit të ndjerë, Shpat Kasapi, ka folur publikisht pas ndarjes së tij të parakohshme nga jeta, duke dhënë një mesazh të thellë e emocional që ka prekur të gjithë të pranishmit.

“Faleminderit që organizuat këtë eveniment për nder të humbjes së madhe të shpirtit tim, të gjysmës time, Shpatit”, u shpreh ajo.

“Ndoshta pyesni pse nuk jam në gjendje të flas… 22 vjet kam ligjëruar, por sot ndjej një emocion që kurrë në jetë nuk e kam ndjerë. E dinë të gjitha nënat që kanë humbur fëmijën e tyre”.

E ëma e artistit tha se dhimbja është e papërshkrueshme, por njëkohësisht ndjen krenari për djalin që rriti.

“Jam shumë krenare dhe e lumtur që pata lindur një djalë që nuk paska qenë vetëm i imi. Paska qenë i të gjithëve juve, e paskeni dashur të gjithë. Ju falënderoj nga zemra”.

Ajo shtoi se në vitin e fundit Shpati nuk ka qenë i qetë, një shqetësim që e ka prekur gjithë familjen.

“Le të prehet në paqe, sepse këtë vit nuk ka qenë i qetë dhe kjo ishte një parandjenjë për të gjithë ne”.

Nëna e këngëtarit kërkoi vetëm lutje për fëmijët e tjerë që i kanë mbetur: “Lus Zotin të më ruajë fëmijët e tjerë, sepse kam edhe dritat e tjera të syve”.

Mes lotëve dhe dhimbjes, ajo e përfundoi fjalimin me një lutje të fundit për të birin: “Le të prehet në paqe dhe në parajsë, në lulen e xhenetit”.