Analisti Rron Gjinovci ka reaguar pas njoftimit se Nisma do të garojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme, duke thënë se kjo hap mundësinë që Kuvendi në të ardhmen të reduktohet në vetëm tre, e madje dy grupe parlamentare.
Në një postim ironik, Gjinovci ka përshkruar qëndrimet e partive kryesore parlamentare: VV-në si parti të majtë me elemente populiste, LDK-në si parti të bizneseve që i referohet Rugovës pa e kuptuar thellësinë e tij, PDK-në si parti familjare me trashëgimi të UÇK-së të përdorur politikisht, ndërsa AAK-në si parti që “qëndron te Ramushi e Dauti”.
Për Nismën, ai shtoi se qëndrimi i saj është vetëm “te pragu”, ku këtë herë sipas tij rrezikon të përfundojë bashkë me AAK-në.
Postimi i plotë:
Me këtë rast krijohet një mundësi e mirë që Kuvendi t’i ketë vetëm 3 grupe parlamentare dhe në të ardhmen e afërt vetëm 2 😁
Për çka qëndrojnë partitë parlamentare të ditëve të sotme?
– VV qëndron për njifar shteti me prirje të majtë, për ma të varfërit, sa ma sovran që është e mundun edhe nëse për sovranitet duhet me pagu çmime të nalta, nifar partie social-demokrate me ca mëlmesa populiste nacionaliste, ama veç gjatë zgjedhjeve.
– LDK qëndron për një shtet të bizneseve, për të pasunit, parti që thirret në ni njeri të vdekun dhe filozofinë e tij, të cilën nuk e kuptojnë në thelb 99% e anëtarëve të saj as udhëheqësit e saj. Deklarativisht e djathtë, por me mëlmesa socialiste sidomos gjatë zgjedhjeve.
– PDK qëndron për një shtet të familjes, konkretisht familjarëve dhe nahisë ku ajo merr vota, parti që thirret artificialisht në trashëgiminë e UÇK-së, që mundohet me monopolizu lëvizjen çlirimtare si dhe mirëmban vlerat PRONTO.
– AAK qëndron për Ramushin dhe Dautin. Më facinojnë njerëzit që këta dy persona krejt të zakonshëm ju duken diqysh persona të veçantë. Thjesht m’kallin 🤯
– NISMA qëndron te pragu, kësaj radhe si duket bashkë me AAK-në.